Bashkautorë për kultivim dhe shitje në doza të cannabis sativës, kapen në flagrancë pranë vendit ku kishin kultivuar bimët narkotike dhe vihen në pranga 3 shtetas.
Asgjësohen nëpërmjet djegies 70 bimë narkotike cannabis sativa, si dhe sekuestrohet një sasi e kësaj lënde narkotike e ndarë në doza.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Postës së Policisë Manzë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vazhdën e operacioneve kundër krimeve në fushën e narkotikëve, si dhe me mbështetjen e inteligjencës policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Ishmi”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit:
D. L., 21 vjeç, E. L., 26 vjeç (kushërinj) dhe K. D., 21 vjeç, të tre banues në Mamurras.
Këta 3 shtetas u kapën në flagrancë në fshatin Ishëm, pranë vendit ku kishin kultivuar 70 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Gjatë kontrolleve, këtyre shtetasve iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa e ndarë në disa doza të gatshme për shitje.
Bimët narkotike u asgjësuan nëpërmjet djegies, ndërsa dozat e lëndës narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.