Aktiviteti i biznesit ka ardhur në përmirësim edhe përgjatë tremujorit të parë të këtij viti.

 

Numri i bizneseve të regjistruara aktive në fund të muajit mars është 126.299 biznese, një shifër kjo me 4506 biznese më e lartë se sa marsi i vitit 2022.

 

“Në mars të vitit 2023 ne kemi 126.299 biznese, një shifër kjo me 4506 biznese më e lartë se sa marsi i vitit 2022 dhe ndërkohë janë 905 biznese më shumë se fund vitit 2022. Pra, aktiviteti dhe numri i bizneseve ka vijuar të rritet”, deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj në konferencën për shtyp, për zhvillimet në ekonomi të mbajtur sot.

 

Edhe kontributet e sigurimeve shoqërore shënuan rritje me 14.8 %, në fund të muajit mars

 

Sipas ministres Ibrahimaj, edhe qarkullimi i bizneseve në total për ekonominë është rritur me rreth 5 %, ndërsa shpërndarë sipas sektorëve, qarkullimi i sektorit të ndërtimit është rritur me 11.35 %, sektori i prodhimit me 5 %, sektori i shërbimeve me 13.69 % dhe sektori i tregtisë me 1.4 %./ATSH