Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro priti sot në një takim kryetarin e Federatës së Dhomave Saudite, Hasan Mujeb Alhwaizy dhe një grup investitorësh sauditë që po vizitojnë Tiranën.
Ministrja Kumbaro vlerësoi se dy vendet kanë mundësi bashkëpunimin në disa sektorë të rëndësishëm ekonomikë, ku veçoi atë të turizmit.
“Takim shumë i mbarë sot me Kryetarin e Federatës së Dhomave Saudite Hasan Mujeb Alhwaizy dhe një grup investitorësh sauditë në Tiranë për të zbuluar më tej mundësi bashkëpunimi mes dy vendeve tona, ku patjetër vend kryesor zë turizmi”, u shpreh Kumbaro.
Mbi 26 mijë vizitorë nga Arabia Saudite e vizituan Shqipërinë gjatë vitit 2023.
“Edhe më shumë mundësi kemi për të ndërtuar bashkëpunime ekonomike në fushën e turizmit, nën programin “Saudi Vision 2030” që po zhvillohet në Arabinë Saudite”, deklaroi Kumbaro.
Në Tiranë u mbajt sot forumi ekonomik Shqipëri-Mbretëria e Arabisë Saudite, ku morën pjesë mbi 50 investitorë arabë./ata