Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se masakra e Studimes është dëshmi e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë.

 

Në akademinë përkujtimore për masakrën e 2 Majit në fshatin Studime të Vushtrrisë, Osmani tha se historia nuk mund të rishkruhet. Osmani garantoi se se institucionet do t’u gjenden pranë të gjithë atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre nga regjimi serb.

 

“Jemi këtu që të përkujtojmë 116 martirë të pafajshëm, përfshirë fëmijë e nëna shtatzëna. Jam gjithashtu për t’u thënë se dhimbja që keni përkujtuar atë ditë, është dhimbje e gjithmbarshme. Masakra ishte organizuar nga regjimi serb. Sot duhet t’i përkujtojmë dhunën dhe masakrën e përjetuar dhe t’i gjendemi afër të gjithë atyre që humben të afërmit e tyre.

 

Kujtesa historike do të jetë në historinë tonë. Kjo që ka ndodhur këtu është argument se historia nuk mund të rishkruhet. Njerëz tanë u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. Sot si asnjëherë duhet ta themi qartë se Serbia ka kryer gjenocid, dhe paqja do të jetë e mundur vetëm kur kryerësit të dalin para drejtësisë”.- tha Osmani.

 

Më 2 maj të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë, brenda dy orëve u pushkatuan  nga paramilitarët serb 116 persona civil që ishin në kolonë për t`u shpërngulur në drejtim të Shqipërisë.