Tetë nxënës dhe një roje janë vrarë nga një adoleshent këtë mëngjes në një shkollë fillore në Beograd.

 

Sipas mediave serbe, autori i ngjarjes dyshohet të ketë qenë i mituri K. K. 14 vjeç, ku rreth orës 8 të mëngjesit të sotëm gjithashtu ka plagosur rëndë mësuesin e historisë me armën e të atit si dhe disa të tjerë.

 

Sipas informacioneve zyrtare, ai kishte një kapuç të zi në kokë dhe po ecte i qetë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.Dyshohet se ai ka marrë një armë herët mëngjesin e sotëm dhe ka shkuar në shkollën“Vladislav Ribnikar”.

 

Sipas të dhënave, e gjithë ngjarja e përgjakshme ka nisur sot pikërisht nga inati që kishte ndaj mësueses së historisë dhe klasës ndaj të cilës ka nisur të qëllojë.

 

Tri fëmijë janë shtruar në Klinikën Universitare të Fëmijëve në rrugën Trišova, dy janë në gjendje të qëndrueshme, ndërsa një fëmijë është në gjendje kritike.

 

Sipas informacioneve jozyrtare më shumë se dhjetë fëmijë të plagosur janë transportuar në Qendrën Emergjente.

 

Ndërkohë mësuesja dhe tre fëmijët janë pranuar në Qendrën Emergjente në Beograd dhe të gjithë kanë plagë me armë zjarri në zonën e gjoksit.

 

Nuk dihen ende motivet të cilat e kanë shtyrë adoleshentin të kryente këtë masakër brenda ambienteve të shkollës fillore, ku ishte regjistruar.

 

Shokët e klasës të adoleshentit e përshkrujnë si një person të qetë, duke theksuar se ai nuk ishte problematik.

 

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe ministrat e Arsimit dhe Shëndetësisë Branko Ruzhiç dhe Danica Grujiçiq.