Kryeministri, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama vijoi sot takimet elektorale në Mat, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie në 14 maj, kryebashkiakun aktual Agron Malaj.

 

Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri kujtoi se si ishte Mati kur PS mori detyrën për drejtimin e bashkisë.

 

“Kujtoni se çfarë braktisjeje, rrënimi, zymtësie dhe dëshpërimi kishte pothuaj në gjithë bashkitë e Shqipërisë. Madje edhe në ato bashki ku drejtonin socialistët ishte një situatë shumë e rëndë, sepse ata që rikthehen këtu rikërkojnë vota pa pikën e turpit. Edhe kur kanë pasur qeverinë, në asnjë rast nuk kanë pasur sens të zhvillimit të qyteteve dhe komuniteteve. I kanë parë njerëzit si mish për top, i kanë ndarë e përçarë”, tha Rama.

 

Sipas tij, vota në 14 maj kërkohet për të pastruar e ndriçuar rrugët.

 

“Kujtoni si ishte Mati kur Agroni mori detyrën, si ishin vargmalet me plehra, sa mijëra tonelata plehra janë hequr nga ato që ishin bërë mal. Nëse mendoni se do vijnë ata dhe do mbajnë pastër qytetin shikoni Shkodrën të cilën e kanë drejtuar prej vitit 1992”, tha Rama.

 

Duke folur për objektivat e mandatit të ardhshëm, Rama siguroi se do të vijojë puna për zhvillimin e Matit.

 

“Me ndryshimin epokal që është bërë me rrugën dhe me plotësimin e infrastrukturës që do ta afrojë me Tiranën, edhe Mati si të gjitha bashkitë e tjera do të bëhet destinacion turistik, ku do të vijnë më shumë turistë dhe do të ketë më shumë punë për qytetarët”, siguroi Rama.

 

Rama u ndal po ashtu te zhvillimet që kanë ndodhur përgjatë këtyre viteve, ku veçoi përmirësimin e rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm të qytetarëve.

 

Sipas tij, kjo është fushata e parë zgjedhore ku nuk flitet më për ujin e pijshëm. “Ka akoma zona që kanë nevojë për investime, por sot territori i vendit është i mbuluar me ujë të pijshëm më shumë se ishte para vitit ’90, se kemi punuar me këmbëngulje vit pas viti”, shtoi ai.