Operatorët telefonikë nga Ballkani Perëndimor dhe nga vendet e Bashkimit Evropian kanë nënshkruar një marrëveshje për zvogëlimin e dallimeve ndërmjet çmimeve për shërbimet e telefonisë mobile brenda dhe jashtë vendit në të dy drejtimet, ka njoftuar Komisioni Evropian.
Marrëveshja vullnetare, e firmosur nga 38 operatorë nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor, pritet të reduktojë shpenzimet për konsumatorët që udhëtojnë ndërmjet BE-së dhe rajonit, për të paktën një të tretën e çmimeve mesatare aktuale.
Kjo është një marrëveshje për të cilën u arrit pajtim në samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, të mbajtur dhjetorin e kaluar, në Tiranë.
Siç theksohet në njoftimin e KE-së, ulja e çmimeve nxit dhe thjeshtëzon shkëmbimet biznesore, kulturore, turistike dhe të tjera ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke forcuar lidhjet ndërmjet rajoneve fqinje.
“Operatorët aktualisht po punojnë për krijimin e produkteve me çmime më të vogla se ato për të cilat u arrit pajtim, që do të jenë në dispozicion për blerje nga numri më i madh i mundshëm i konsumatorëve”, thuhet në njoftim.
Nënshkrimi i marrëveshjes për reduktimin e çmimeve të roaming-ut u mirëprit nga komisionari evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi.
“Kjo marrëveshje vullnetare do t’i bëjë gjërat të parashikueshme, do të ndihmojë në eliminimin e befasive në faturat e konsumatorëve dhe do mundësojë reduktime të ndjeshme të kostove të roaming-ut për konsumatorët nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor”, ka thënë komisionari Varhelyi.
Ky proces mbështetet edhe nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, dhe nga Komisioni Evropian. KE-ja i ka ftuar edhe operatorët e tjerë telefonikë nga BE-ja dhe rajoni për t’iu bashkuar iniciativës.
Nga 1 korriku i vitit 2021, rajoni i Ballkanit Perëndimor është zonë ku nuk aplikohen tarifat e roaming-ut. Vizitorët paguajnë për thirrje, për porosi SMS dhe për qasje në internet me të njëjtin çmim si në vendin e tyre, nëse ndodhen në territorin e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Marrëveshja për roaming-un mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është nënshkruar në prillin e vitit 2019, pas së cilës çmimet e thirrjeve telefonike janë reduktuar për rreth 27 për qind nga korriku i atij viti, dhe i ka hapur rrugën heqjes së plotë të tarifave të roaming-ut nga korriku i vitit 2021./ REL/