Kryeministri Edi Rama nga Ankaraja, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha se spitali memorial i Fierit i ngritur në kohë rekord nga Turqia, është një pararojë e reformës së sistemit  spitalor në vendin tonë, duke implementuar autonominë spitalore.

Rama tha se autonomia spitalore, do ta çojë në një nivel tjetër shërbimin shëndetësor në Shqipëri si dhe shpërblimin e drejtë dhe meritokratik të mjekëve

“Ai spital ishte besoj investimi i parë publik në botë me 3 milionë supervizorë ditë për ditë. Dhe ju e fituat bastin me shqiptarët. Ju përmendët spitalin, por përtej ngritjes së tij në kohë rekord, dhe nuk është i vetmi rekord i juaji në këto punët publike mesa di unë, ajo që është ende e rëndësishme është se sot ai spital është pikë referimi gjithnjë e më e dëshiruar për qytetarët shqiptarë në nevojë për kurim”, tha Rama.

“Ai spital është një pasqyrë e një bashkëpunimi që vazhdon me një skuadër të përbashkët mjekësh shqiptarë dhe turq, ashtu sikundër është edhe pararoja e një transformimi të mëtejshëm të sistemit tonë të shëndetësisë, sepse falë eksperiencës që është botërisht e njohur si sukses i Turqisë në transformimit të sistemit shëndetësor dhe që te ne e përcjellin një grup menaxherësh e vënë në dispozicion nga ministria e shëndetësisë së Turqisë, aty ka nisur dhe modeli i autonomisë spitalore, që është një tjetër reformë e sistemit tonë shëndetësore dhe që jemi shumë besimplotë që do ta çojë shërbimin në një nivel të ri dhe shpërblimin e drejtë dhe meritokratik të mjekëve në nivel tjetër”, tha Rama./ata