Sipas autoriteteve të Ukrainës, Ushtria e Rusisë ka kryer sulme me 24 mjete ajrore pa pilot (dronë) në rajone të ndryshme të Ukrainës, përfshirë edhe kryeqytetin Kiev, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Forcat e Armatosura të Ukrainës thuhet se forcat ruse kanë kryer sulme me dronë në rajone të ndryshme të Ukrainës, se në sulm janë përdorur 24 dronë "shahed-136/131" dhe se forcat ajrore ukrainase kanë shkatërruar në ajër 18 prej dronëve.
Ndërsa në një deklaratë me shkrim nga Administrata Ushtarake e Kievit njoftohet se ushtria ruse ka kryer sulm me dronë ndaj Kievit në orët e para të mëngjesit.
"Të gjithë dronët e lëshuar drejt kryeqytetit u shkatërruan", theksohet në deklaratën ku njoftohet se pjesët e dronit janë gjetur mbi një ndërtesë në Kiev.
- Në Rusi shpërthen zjarr si pasojë e sulmit me dron
Në lajmin e agjencisë ruse të lajmeve TASS thuhet se një zjarr ka shpërthyer në rezervën e "Rafinerisë së Naftës İlsky" që ndodhet në rajonin Krasnodar të Rusisë.
Po ashtu në lajm thuhet se shpërthimi i zjarrit është shkaktuar nga rënia e një droni.