Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa disa të tjerë janë shpallur të humbur si pasojë e përmbytjeve që kanë përfshirë tashmë prej disa ditësh disa rajone të Italisë.

 

Reshjet e dendura që vijojnë prej së martës kanë sjellë prurje të shumta në lumenjtë e Ravenës dhe Bolonjës, disa prej të cilëve kanë dalë prej shtrati dhe kanë pushtuar rrugët.

 

Deri në këto momente konfirmohen se viktimat janë dy të moshuar në  Castel Bolognese dhe Fontanelice, teksa një person tjetër është bllokuar në rrënoja pas shembjes së një banese.

 

Shkollat do të qëndrojnë të mbyllura dhe gjatë ditës së sotme, teksa shumë akse rrugore dhe hekurudhore janë bllokuar nga prezenca e ujit.

 

Ushtria është dislokuar për t’iu ardhur në ndihmë civilëve në nevojë dhe deri në këto momente 250 persona janë zhvendosur në një zonë më të sigurt.

 

Mbrojtja Civile ka dhënë alarmin për përmbytje dhe rrëshqitje dherash dhe gjatë së enjtes në Emilia Romagna dhe për këtë arsye iu kërkon banorëve të shmangin lëvizjet jo të rëndësishme dhe në rast nevoje të telefonojnë në numrat e vendosur në dispozicion.