Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, njëherësh drejtuese e qarkut Gjirokastër, Mirela Kumbaro së bashku me kryetarin e bashkisë, njëherësh kandidat i PS-së në zgjedhjet e 14 majit, Flamur Golemi zhvilluan një takim me fermerë të qarkut.

 

Gjatë takimit, Kumbaro dhe Golemi biseduan për mbështetjen ndaj fermerëve përmes subvencioneve.

 

“Mirënjohje për fermerët e palodhur të qarkut Gjirokastër, punëtorë të pashoq të cilët kanë krijuar modelet më të mira të bujqësisë dhe numrin më të lartë të agroturizmeve, duke u kthyer në qarkun që po ecën me ritme më të shpejta në turizëm”, theksoi Kumbaro.

 

Kumbaro u shpreh se “duhet të ecim përpara duke e shtuar këtë ritëm, duhet të shohim përpara, të mbështesim Flamur Golemin dhe projektet e Partisë Socialiste që ndihmojnë drejtpërdrejt fermerët dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural”.

 

“Sot fermerët tanë kanë akses në skemën e subvencioneve, në naftën pa taksa dhe në programin IPARD, por vizioni ynë është t’i mbështesim, promovojmë e ndihmojmë akoma më shumë ata që punojnë tokën e këtë trashëgimi e përcjellin dhe tek brezat pas tyre”, tha Kumbaro.