Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Jurgen Stock  është pritur në takim nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

 

Vizita e Stock në Shqipëri vjen gati 3 muaj pas vizitës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë në Qendrën e Interpolit, në Lyon, Francë.

 

Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm dhe u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit, për të arritur rezultate edhe më të mira në luftën ndaj sfidave globale, në fushën e luftës kundër kriminalitetit, veçanërisht kundër narkotikëve, trafiqeve, pastrimit të parave, krimit kibernetik etj.

 

Drejtori i Përgjithshëm e ka falënderuar Sekretarin e Përgjithshëm të Interpolit, për mbështetjen dhe besimin që Interpoli i ka dhënë dhe po i jep Policisë së Shtetit. Ai ka theksuar se Policia e Shtetit është e vendosur për ta zgjeruar bashkëpunimin me Interpolin dhe me të gjitha agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.

 

“Siç ju informova edhe gjatë vizitës time në Lyon, jam shumë i vendosur në kërkesën për ndërmjetësim dhe mbështetje nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit, për kapjen e personave në kërkim jashtë hartës së vendeve që kanë marrëveshje me Shqipërinë. Ky ndërmjetësim do të sillte reagim të dyanshëm dhe shkëmbim informacioni në kohë reale me këto vende, për kapjen e personave në kërkim”, – është shprehur Rrumbullaku.

 

Jurgen Stock e garantoi Drejtorin e Përgjithshëm se Interpol do të vijojë ta mbështetë Policinë shqiptare, duke ndërmjetësuar me vendet me të cilat Policia e Shtetit nuk ka marrëveshje bashkëpunimi, sepse Interpol e konsideron shumë të rëndësishëm bashkëpunimin në funksion të luftës kundër krimit.

 

Sekretari i Përgjithshëm vlerësoi qasjen e Drejtorit të Përgjithshëm në lidhje me reformat në Polici dhe shprehu gatishmërinë për ta ndihmuar Policinë e Shtetit në ato fusha ku është e nevojshme dhe e përshtatshme.

 

Gjithashtu, ai e vlerësoi Policinë e Shtetit si një organizatë me rëndësi dhe besueshmëri në arenën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor.

 

“Krijimi i platformave analitike për shkëmbim informacioni, me qëllim zgjerimin e bashkëpunimit, është çelësi i suksesit gjatë ndërveprimit”, – është shprehur Stock.