Kryetari i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha
Në një takim elektoral ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë fitojmë”, për kryetar bashkie në Tropojë, Besnik Dusha, Berisha tha se Besnik Dusha është një malësor që mishëron vetitë më të arrira, si dhe përkushtimin e pakufizuar për të bërë të mundur shërbimet më dinjitoze për të përdorur taksat e qytetarëve në mënyrën më transparente.
“Rexh Byberi e ka shndërruar bashkinë në një gropë më të thellë se përroi i Shendelicës.
Dalja e qeveritarëve para qytetarëve është akt ligjor dhe moral i detyrueshëm. Por Rexha nuk del sepse nuk mund të dalë. I del gropa e madhe që ka bërë në bashki, i dalin tenderat që i ka dhënë siç i di ai. I dalin të gjitha aktet e tij, me të cilat vërtet nuk iu ka shërbyer qytetarëve të Malësisë së Gjakovës, por vetëm xhepit të tij”, tha Berisha.
Berisha theksoi se këto zgjedhje janë shumë më tepër se zgjedhje për qeveri vendore.
“Janë zgjedhje kundër një njeriu që ka pushtuar, ka marrë në dorë të gjitha pushtetet dhe i përdor kundër qytetarëve. Kundër një njeriu që ka zbrazur Tropojën si asnjë pushtim. Ka larguar çdo institucion. Kundër një njeriu, që javën e parë që erdhi në pushtet, preu ndihmën ekonomike për qarkun e Kukësit në 20 mijë familje pse nuk e votuan në vitin 2013. Asnjë verior nuk mund t’i japë votën atij”, tha Berisha.
Ai garantoi se të gjitha institucionet do kthehen në Tropojë si dhe do rindërtohet rrjeti elektrik i fshatrave dhe Autostrada e Alpeve.
“Asnjë votë për Rexh Byberin. Po iu drejtohem socialistëve: më thoni pak, cili prej jush ka votuar për emërimin e tij për kandidat bashkie? Cili prej jush është pyetur? Kurrë mos votoni për ata që për hir të xhepit, ndërrojnë parti. Çdo socialist i Tropojës është 10 herë me më shumë integritet se Rexh Byberi. U garantoj se kësaj radhe, askush nga Biberajt nuk do e votojë. 14 maji është ditë ndryshimi i madh”, tha Berisha.