Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot masa drastike deri në largim pa të drejtë kthimi në Policinë e Shtetit për drejtuesit dhe punonjësit e policisë, të cilët gjatë sezonit turistik lejojnë shkelje të rregullave për muzikën në lokale.
Gjatë prezantimit të Njësisë Policore Detare në Vlorë, Rama u shpreh se ky sezon do të jetë dhe më i vështirë se ai i mëparshmi, pasi do të kemi numra edhe më të mëdhenj vizitorësh dhe aktivitet dhe më të madh në akset rrugore.
“Do të kemi dyndje edhe më të madhe nëpër të gjitha zonat e nxehta turistike, ndaj uroj të përballet me dinjitet nga të gjithë komisariatet. Kompromiset, mbylljet e veshëve, duart e shtrira për bakshishe për të lejuar zhurma pseudomuzike përtej afatit, t’i përkasin të shkuarës. Bizneset të ndjehen në shtëpinë e tyre të patrazuar nga askush dhe nga asgjë dhe asnjë të mos ndihet i fyer sepse atij i mbyllet muzika sipas rregullit ndërsa atij tjetrit në krah, i lihet muzika kundër rregullit”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm që për çdo rast të tillë, masa ndaj drejtuesit të policisë së qarkut, ndaj shefit të komisariatit dhe ndaj atyre që mbulojnë zonën të jetë drastike, të jetë e menjëhershme dhe të jetë largim pa kthim nga Policia e Shtetit.
“Nëse duam që ky vend të bëhet kampion i Ballkanit në turizëm në vitin 2030, në radhë të parë kjo do të thotë që ky vend të garantojë për çdo turist, për çdo vizitor, për çdo pushues shqiptar apo të huaj, një qetësi, një rregull, një pastërti, një lehtësi të paharrueshme, që të huajt që vijnë këtu dhe që janë gjithmonë e më shumë të shumtë në numër, të largohen me kujtimin se në Shqipëri gjetën atë që nuk e prisnin. Respekt, siguri dhe mirësjellje absolute, në radhë të parë nga punonjësit e Policisë së Shtetit, nga punonjësit e Policisë Rrugore, nga punonjësit në territoret turistike dhe natyrisht edhe tani nga punonjësit e njësisë së re të kontrollit dhe të garantimit të sigurisë dhe të qetësisë në ujërat e brigjeve shqiptare”, tha Rama.
Sipas tij, “ky është mision, kjo nuk është thjeshtë një detyrë”.
“Ky është një mision për popullin shqiptar, për kombin shqiptar, për shtetin shqiptar dhe çdokush që shkel një fije sensin e këtij misioni, çdokush që sillet padenjësisht me ata që vijnë në shtëpinë tonë apo që lëvizin nga shtëpia e tyre këtu, për të shkuar e për të pushuar, do të marrin ndëshkimin më maksimal sepse duhet të konsiderohet në pozicion armiqësor me këtë mision kombëtar, i padenjë për të qenë pjesë e kësaj force”, tha ai.
Kryeministri uroi që “bilanci i këtij sezoni turistik për Policinë e Shtetit të jetë një bilanc që të na bëjë të gjithëve krenarë për atë që bëmë dhe natyrisht pastaj të nxjerrim mësimet dhe të vazhdojmë të përmirësohemi”.