Një 30-vjeçar me precedent të mëparshëm penal për vrasje është vënë në pranga nga policia e Lushnjes gjatë kontrolleve për kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri apo me sende të paligjshme.
Mësohet se shtetasi M. P., 30 vjeç, banues në Patos, u kap në flagrancë gjatë kontrolleve të Policisë, teksa qarkullonte me sende të paligjshme në automjetin e tij.
Gjatë kontrollit në çantën e krahut të këtij shtetasi, policia ka gjetur 1 pistoletë, 1 krehër me 7 fishekë dhe 1 thikë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
“Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, kanë ndaluar për kontroll automjetin tip “Benz” në të cilin udhëtonte shtetasi M. P. Gjatë kontrollit në çantën e krahut të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 pistoletë, 1 krehër me 7 fishekë dhe 1 thikë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin M. P., 30 vjeç, banues në Patos, i dënuar më parë për vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, tha policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.