Kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi siguroi sot se, Teatri Kombëtar do të rindërtohet në të njëjtin vend ku ishte dhe ashtu siç ishte.
Gjatë një takimi me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Këlliçi akuzoi Erion Veliajn si shkatërruesin e Teatrit Kombëtar.
“Me 17 maj, në atë natë të tmerrshme kur është shembur Teatri Kombëtar në mënyrë të pabesë nga kryetari i bashkisë, kam provuar për herë të parë shijen e prangave. Për hir të së vërtetës nuk kam qenë vetëm unë, por kanë qenë me dhjetëra qytetarët, artistët që janë arrestuar, janë goditur atë natë, a thua se po goditeshin banda kriminale”, tha Këlliçi.
Ai shtoi se, Teatri Kombëtar do të ndërtohet aty ku ishte dhe siç ishte.
“Unë jam pro zhvillimit dhe kam qenë “pro” gjithmonë, që të ndërtohet një teatër i ri në Tiranë, por pa prishur teatrin që ne kishim, që ngrihej krenar, këtu prapa shpatullave tona. Sot që ne flasim, kemi parë në muajin dhjetor një ceremoni që ka kushtuar me dhjetëra mijëra euro, për inaugurimin e punimeve dhe ku sot që ne flasim kemi vetëm një gropë financiare, por mbi të gjitha shpirtërore, për të gjithë kryeqytetasit. Dua të zotohem para jush, që Teatri Kombëtar, me Belind Këlliçin kryetar bashkie do të rindërtohet aty ku ishte dhe ashtu siç ishte”, tha Këlliçi.
Një tjetër angazhim i dhënë para artistëve dhe qytetarëve të Tiranës ishte rikthimi i zonës historike të Tiranës.
“Pa diskutim do të rikthejmë zonën e mbrojtur historike të qendrës së Tiranës, ashtu siç ishte deri para vitit 2018. Kjo ka një rëndësi jetike për të gjithë qytetin sepse kemi parë shpesh herë që godina, monumente historike të qytetit, plot 37 prej tyre, janë hequr nga lista e mbrojtjes dhe 17 prej tyre, sot që ne flasim, janë rrafshuar, janë shembur për t’i hapur rrugën ndërtimit të kullave të betonit. E gjitha kjo në emër të zhvillimit”, u shpreh Këlliçi.
Ai akuzoi kryebashkiakun Veliaj se ka përgatitur planin edhe për shembjen e Teatrit të Kukullave.
“Një qytet që sot rrezikon të shembë dhe të prishë edhe Teatrin e Kukullave, godinën e Parlamentit të parë shqiptar, i cili në projektet e bashkisë Tiranë planifikohet të ndërtohet me disa restorante në katet e para dhe me lokale. Unë do t’i propozoj pas 14 majit, përmes rikthimit të referendumeve, përmes dhënies së hapësirës të gjithë qytetarëve për të vendosur ata, pra mundësinë qytetit për të vendosur për Teatrin e Kukullave. A dëshirojnë qytetarët të jetë një muze etnografik, a dëshirojnë të jetë një muze i parlamentarizmit shqiptar, apo ta bëjmë një godinë funksionale, ta rijetëzojmë duke e kthyer në godinën e Këshillit Bashkiak të Tiranës”-u shpreh Belind Këlliçi.
Po ashtu, ai premtoi edhe ngritjen e Inspektoratit të Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore në Tiranë.
“Për të rikthyer normalitetin në kryeqytet dhe për të ruajtur trashëgiminë tonë kulturore, sot në këtë shesh, unë dua të japë edhe një zotim të tretë timin, që pas 14 majit do të ngre Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore si një strukturë të posaçme dhe permanente të bashkisë Tiranë. Me kompetenca të qarta dhe të plota, përcaktuese për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe të identitetit të qytetit të Tiranës”, tha Këlliçi.