Policia ka arrestuar shoferin e kamionçinës që rrëshqiti dje në banesën e 55-vjeçarit Izmir Dumanit, i cili ndërroi jetë nga incidenti i ndodhur.

 

Uniformat blu bëjnë me dije se kanë vënë në pranga shtetasin  A. T., 39 vjeç, banues në Bulqizë, pasi dyshohet se nuk kishte siguruar mirë automjetin e tij.

 

Sipas informacioneve zyrtare, makina tip “Benz” ka rrëshkitur dhe ka rënë në oborrin e banesës së Dumanit, ku si pasojë e goditjes ka ndërruar jetë.

 

“Në vijim të informacionit të dhënë pasditen e djeshme, për një aksident të ndodhur në fshatin Shtushaj, Bulqizë, ju informojmë se në vijim të veprimeve procedurale të kryera nga specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore, për këtë rast, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. T., 39 vjeç, banues në Bulqizë, pasi dyshohet se për shkak se nuk kishte siguruar mirë, automjetin e tij tip “Benz”, automjeti ka rrëshkitur dhe ka rënë në oborrin e banesës së shtetasit I. D., ku e ka goditur këtë shtetas dhe për pasojë shtetasi I. D. humbi jetën”, tha policia.