Autoritetet gjermane kanë arrestuar një kardiolog gjerman, i dyshuar për vrasjen e pacientëve të tij, duke i furnizuar “me vetëdije” doza shumë të larta qetësuesish.

 

Siç raportohet nga Policia e Berlinit, mjeku punonte në spitalin Charité, në kryeqytetin gjerman, qendër nga e cila u pezullua verën e kaluar, kur nisi hetimi.

 

“Burri 55-vjeçar, i cili u pezullua nga Charité në gusht 2022, dyshohet se ka administruar me vetëdije doza të larta të një qetësuesi për pacientët e sëmurë rëndë, në njësinë e kujdesit intensiv, në dy raste në 2021 dhe 2022, të cilët përfunduan me vdekje”, thuhet në njoftimin e policisë.

 

Prokuroria gjermane kishte nisur tashmë hetimet pas një raporti të dorëzuar nga vetë spitali, por statusi i “dyshimit urgjent”, niveli më i lartë i dyshimit në ligjin e procedurës penale të vendit, nevojitej për të lëshuar një urdhërarresti. Ky “dyshim urgjent” ka ardhur pas vlerësimit të një eksperti, i cili ka arritur në përfundimin se në të paktën dy nga katër vdekjet e hetuara, dozat e larta të qetësuesve nuk ishin “të justifikueshme nga ana mjekësore”.