Një ditë pasi Kuvendi miratoi me 106 vota pro ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Komisioni i Ligjeve i është drejtuar Presidentit Bajram Begaj me një kërkesë për autorizim paraprak që ndryshimet të futen në fuqi menjëherë.
Burime nga Presidenca bëjnë me dije për Shqiptarja.com se Presidenti Begaj ka refuzuar që të japë autorizimin për futjen e ndryshimeve menjëherë në fuqi, duke thënë se ligji do duhet që të kalojë procedurat normale të dekretimit.
Kërkesa për autorizim për futjen e ligjit menjëherë në fuqi ka ardhur nga Komisioni i Ligjeve me qëllim që Komisionit Qendror të Zgjedhjeve t’i jepet koha e duhur për të organizuar procesin për votën e diasporës.
Vetë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në daljet e tij publike para miratimit të Kodit të ri Zgjedhor është shprehur se KQZ është KQZ është e përgatitur për të ndërtuar infrastrukturën për aspektin teknik të këtij procesi, por koha në dispozicion është e pakët. Për këtë arsye, Ligjet kanë kërkuar një procedurë të shpejtuar për futjen në fuqi të ndryshimeve të reja. Por, presidenti Begaj duke marrë parasysh kundërshtitë publike si dhe ndjeshmërinë e lartë publike për çështjen ka vlerësuar që ligji të kalojë procedurat normale të dekretimit.
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste shfrytëzuan seancën e fundit parlamentare per te miratuar me 106 vota pro ndryshimet në Kodin Zgjedhor për listat, votën e diasporës dhe heqjen e pragut kombëtar për kandidatët e pavarur, ndryshime që erdhën pas një pakti të beftë mes tyre./Shqiptarja