Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë ditën e sotme në një konferencë për mediat, ku akuzon qeverinë për zgjedhjet e 14 Majit.

 

Gjatë fjalës së tij, Berisha thotë se administrata publike gjatë këtyre zgjedhjeve u shndërrua në një polici politike e procesit elektoral.

 

Sipas Berishës është në kundërshtim me ligjin vendosja e komisionerëve me punonjës bashkie të cilët kanë marrë pjesë në numërimin e votave.

 

Berisha thekson se janë bërë kërcënime nëpërmjet punonjësve të administratës dhe sipas tij, pikërisht në ditën e sotme kanë filluar shkarkimet nga puna ndaj tyre që nuk u përgjigjën në 14 Maj.

 

“Ky është aspekti policesk, por u them ju se një aspekt tjetër më i shëmtuar dhe më policesk, ka qenë roli i administratës publike.

 

Si kurrë në historinë e këtij vendi, administrata publike u shndërrua në një polici politike e procesit elektoral.

 

Së pari, në kundërshtim flagrant me ligjin janë vendosur komisionerë me qindra e qindra punonjës bashkie që do numëronin vota për ish-kryetarin apo kryetarin e tyre. Me ligj e ndaluar, me ligje palejueshme.

 

Aspekti tjetër, qindra e qindra punonjës të administratës janë vendosur komisionerë dhe numërues në qendrat e votimit. Aspekti më i shëmtuar është qëndrimi i zyrtarëve si gardianë në qendrat e votimit. Presioni që kanë bërë një muaj rresht mbi punonjësit e tjerë. Kërcënimet që ata kanë shpërndarë nëpërmjet punonjësve, dërgoheshin mesazhe në tatime, dërgoheshin mesazhe në dogana, që i thuhej iksit, biznesmen jo i vogël, se po shkove në votime ti dhe punëtorët e tu, do përballesh me këto pasoja.

 

Kujdestares së kopshtit se po nuk solle 10 karta identiteti, të nesërmen humbet punën. Kanë filluar që sot shkarkimet nga puna ndaj tyre që nuk u përgjigjën.

 

Administrata, eksponentë të administratës, u sollën në mënyrën më antiligjore në këtë proces. Drejtorë, si terrorist është sjellë kushëriri i Ballukes, Klosi në Peshkopi, ku për të mposhtur elektoratin, u vërsul me tërbim ndaj bizneseve 3 ditë para zgjedhjeve në inspektim të përgjithshëm.

 

Të njëjtën gjë kanë bërë në Konispol, Sarandë, Libohovë, Këlcyrë dhe një seri bashkish të tjera.

 

Kurrë ndonjëherë në historinë e këtij vendi, administrata shtetërore, nuk ka mbajtur një qëndrim të tillë kriminal ndaj procesit zgjedhor”, tha Berisha.