Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka reaguar pas arrestimit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.

 

Në një status të publikuar në faqen zyrtare të KQZ bëhet me dije se Beleri do të vazhdojë të jetë kandidat dhe emri i tij do të vijojë të jetë në fletën e votimit.

 

 “Në përgjigje të interesit të përfaqësuesve të medias mbi ndalimin/arrestimin e kandidatit për kryetar të Bashkisë Himarë, Dhionisios Alfred Petro Beleri, mbështetur nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron se në kuptim të Kodit Zgjedhor, si dhe të Ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funksione publike”, ai vazhdon të jetë kandidat dhe emri i tij mbetet në fletën e votimit”-shkruan KQZ.

 

Beleri u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Vlorës për korrupsion aktiv në zgjedhje. Arrestimi i tij erdhi 48 orë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore të 14 Majit.

 

Ndërkaq, Fredi Beleri u bë pjesë e debatit politik në mesjavë edhe për shkak të një deklarate që bëri gjatë një interviste për gazetën greke ‘Protothema’, në të cilën ai përmendi një plan për helenizimin e Himarës.