Këtë të dielë qytetarët shqiptarë do iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 61 kryetarët e rinj të bashkive, si edhe përfaqësuesit në Këshilla Bashkiakë.

Në këto zgjedhje vendore 3.650.550 shtetas shqiptarë kanë të drejtën e votës, ndërsa 122.545 zgjedhës votojnë për herë të parë.

 

Në 61 bashki të vendit do të jenë të hapura 5.211 qendra votimi nga ora 07:00-20:00.

 

Sipas të dhënave nga KQZ në 44 bashki do të garojnë dy kandidatë, kandidati i Partisë Socialiste dhe i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, në 14 bashki do të jenë nga 3 kandidatë ku pjesë e listës do të jetë dhe kandidati i Partisë Demokratike me logon zyrtare, ndërsa në Sarandë do të jenë 4 kandidatë.

 

Në këto zgjedhje opozita pritet të kthehet në institucionet e pushtetit vendor pas katër vjet mungese për shkak të bojkotit në zgjedhjet e vitit 2019. Gjatë kësaj periudhe socialistët drejtuan gjithë bashkitë e vendit, përveç Shkodrës.

 

Pothuajse në të gjitha qendrat e votimit do të bëhet identifikimi elektronik i votuesve, ndërsa në vetëm 3 bashki të vendit Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të votohet elektronikisht.

 

Pritet që në këto bashki rezultati të dalë më herët se në bashkitë e tjera.