Infermierë, studentë të profesionit të kujdestarisë shëndetësore në Gjermani nuk duan vetëm paga më të mira, por përmirësime të tjera që lidhen me jetën familjare, plane pune të qarta dhe lehtësim përmes digjitalizimit.

 

Sipas një studimi të publikuar nga Ministria Federale e Shëndetësisë, forcat e kujdesit shëndetësor në Gjermani dhe ata që janë në shkollim nuk dëshirojnë vetëm paga më të mira dhe më shumë personel. Ata duan kushte më të mira si harmonizimin me jetën familjare, kopshte e çerdhe për fëmijët, plane pune të qarta dhe më shumë lehtësime përmes digjitalizimit. Edhe në drejtim të klimës së punës dhe stilit të drejtimit është e nevojshme të bëhen përmirësime, bëhet  e qartë në studim.

"Dëshira për një pagesë më të mirë, një mbulim personeli të orientuar nga nevojat e kujdesit shëndetësor dhe një pajisje më e mirë digjitale është e drejtë", deklaroi ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach (SPD). Përditshmëria e punës në kujdesin shëndetësor është shumë e ndikuar nga faktori ekonomik. Askush nuk do të punojë në një intensitet të tillë, sidomos në kujdesin shëndetësor, është shprehur Lauterbach.

 

Ministri gjerman i Shëndetësisë ka kujtuar, se Gjermania ka bërë hapa në drejtim të përmirësimit të pagesave, duke futur pagesën e detyruar në bazë tarifash në kujdesin shëndetësor afatgjatë. "Tani duhet të përmirësohen kushtet e punës", ka thënë Lauterbach duke përmendur se federata po punon në drejtim të standartizimit të kushteve për matjen e personelit dhe digjitalizimit të sistemit shëndetësor. Pritshmëria është që kjo të ulë presionin e punës të personelit shëndetësor. Lauterbach kërkon që punëdhënësit të bëjnë më shumë për të mbajtur fuqinë punëtore të kualifikuar.

 

Pse e lenë profesionin infermierët?

 

Mbledhjen e të dhënave për vlerësimin e kushteve të punës nga vetë punonjësit e kujdesit shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë e kishte bërë me qëllim që të kuptoheshin arsyet se "pse forcat e kujdesit shëndetësor e lenë këtë profesion dhe cilat janë kushtet që e bëjnë më të pëlqyeshme punën." Për këtë arsye u pyetën 5500 punëonjës nga sistemi i kujdesit shëndetësor dhe të rinj në shkollim.

 

Paga mbetet një nga pikat kryesore për një vend atraktiv pune. Sidomos fillestarët dhe ata që janë shkollim shpresojnë për një pagesë më të mirë. Shumica dëshiron një vend pune më të digjitalizuar. 80% e të pyeturve duan një lidhje të mirë interneti. Kurse futjen e kartelës digjitale e dëshirojnë 75%  e forcave të kujdesit shëndetësor. Edhe dokumentimi elektronik i pacientëve preferohet në masë të madhe. Ndërsa 90% duan personel të orientuar nga nevojat e kujdesit shëndetësor. Edhe harmonizimi i jetës së punës dhe asaj familjare luan rol të rëndësishëm për forcat e kujdesit shëndetësor. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë për të mbështetuar masa të tilla është krijuar një program i posaçëm./DW