Zgjedhjet e 14 majit në Türkiye ligjërisht nuk prodhuan një fitues në garën presidenciale, pasi presidenti aktual i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan mori 49,51% të votave në këto zgjedhje dhe i mungoi vetëm gjysmë pikë-përqindje për të përmbushur pragun ligjor që në rrethin e parë.

 

Kështu, Türkiye shkon në balotazh presidencial më 28 maj, me Erdoğanin që bart me vete një përparësi të theksuar ndaj të dytit, Kemal Kiliçdaroğlut të CHP-së.

 

Si votohet më 28 maj?

 

Në balotazhin e 28 majit vazhdojnë dy kandidatët më të votuar për president, në këtë rast presidenti aktual Recep Tayyip Erdoğan dhe sfiduesi Kemal Kiliçdaroğlut.

 

Sinan Oğan, i cili doli i treti me mbi 5% të votave, eliminohet nga gara. Ndërkohë kandidati tjetër Muharrem Ince hoqi dorë nga kandidatura presidenciale më 11 maj.

 

Votuesit do të zgjedhin mes dy emrave në fletët e votimit, duke vulosur “Evet” – që do të thotë “Po” – poshtë njërit prej dy kandidatëve. Fitues zgjidhet kandidati i cili merr shumicën e votave të vlefshme.

 

Voton diaspora

 

Mërgimtarët turq do të kenë të drejtë vote edhe në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Gjithsej 3,41 milionë turq në diasporë kanë të drejtë vote, ndërsa më 14 maj votuan 52,69% prej tyre.

 

Votimi organizohet sërish në 73 shtete dhe 156 përfaqësi të Türkiyes, si dhe në doganë.

 

Votat e diasporës sillen me avionë, në praninë e këshilleve zgjedhore, dhe numërohen bashkë me votat në Türkiye.

 

Rezultatet e 14 majit favorizojnë Erdoğanin

 

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, edhe pse nuk u zgjodh që në raundin e parë për gjysmë pikë-përqindje, hyn në balotazh me avantazh të madh ndaj kundërkandidatit Kiliçdaroğlu.

 

Ai ka përparësi prej 2,5 milionë votash ndaj kundërkandidatit Kiliçdaroğlu.

 

Rreth 2,8 milionë vota kanë shkuar për kandidatin tjetër të djathtë, Sinan Oğan. Në deklaratën e parë pas zgjedhjeve, Oğan tha se është i hapur për bisedime dhe marrëveshje, përveç me ata që “kanë marrëveshje me terroristët”, duke aluduar në PKK-në dhe krahët e tyre politikë.

 

 

Një tjetër përparësi për Erdoğanin është fitorja bindëse e koalicionit të udhëhequr nga partia e tij në zgjedhjet parlamentare të 14 majit. Aleanca e Popullit fitoi 322 mandate, që përbëjnë shumicë në Kuvendin e Madh Popullor të Türkiyes me 600 ulëse. Koalicioni i CHP-së, Aleanca e Kombit, fitoi vetëm 213 mandate.