Raportimet për disa bomba të vendosura kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në Qendrën Spitalore Klinike “Zvezdara” dhe Akademinë Mjekësore Ushtarake në Beograd, ka konfirmuar për Fonet Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

 

“Ekipet janë në terren në të dyja institucionet dhe gjithçka do të kontrollohet”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

 

Edhe policia në Novi Sad evakuoi dhe ndaloi hyrjen në disa vende për shkak të raportimeve për bomba, shkruajnë mediat e huaja.

 

Fakulteti i Shkencave Teknike, Institutet e Sremska Kamenicës, Stacioni Hekurudhor, Fakulteti Filozofik janë evakuuar.

 

Në adresat e mediave dhe shërbimeve kompetente kanë mbërritur mëngjesin e sotëm emailet nga “Grupi Subverziv Mizantropik”.

 

“Bombat janë të planifikuara për të shpërthyer sot, gjatë mëngjesit dhe pasdites së hershme,” thuhet në email.

 

Në këto ambiente po vijojnë kontrollet e policisë.

 

Ditët e fundit ka pasur raportime për mjete shpërthyese të vendosura në shkolla në Beograd, por edhe në vende të tjera në Serbi.