Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka bërë betimin para Kuvendit Komunal, procedurë kjo solemne për të marrë detyrën si kryetar.

 

“Unë, Erden Atiq, betohem se do t’i ushtroj kompentencat e mia me nder, besnikëri, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që t'i siguroj kushtet për një jetë të qetë”, tha ai në deklaratën e betimit.

 

Atiq në këtë seancë e ka emëruar edhe nënkryetaren e Komunës, që është Katarina Axhançiq nga radhët e komunitetit serb, shkruajnë në REL, Sandra Cvetkoviq dhe

Doruntina Baliu.

 

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, para nisjes së seancës së betimit ka thënë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për të mundësuar marrjen e detyrës së kryetarit.

 

“Trembëdhjetë asamblistë janë aty, kemi kuorum për të kryer detyrat kuvendore. Sot do të zgjidhet edhe nënkryetarja, që do të jetë nga komuniteti serb”, tha ai, pa e zbuluar se kush do të jetë ajo.

 

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill, Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave. Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ishte 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

 

Por, të premten nuk do ta bëjnë betimin edhe tre kryetarët e tjerë të rinj të komunave në veri.