Policia e Shtetit informoi sot se duke filluar nga dita e sotme deri në përfundim të sezonit veror, gjatë orarit 06:00–20:00, do të ketë devijim të përkohshëm të lëvizjes për mjetet e rënda me peshë mbi 7.5 T në aksin rrugor Thumanë – Fushë Krujë – Kamzë.
Sipas policisë, ky devijim vjen në kuadër të masave të ndërmarra për sezonin turistik, me qëllim lehtësimin e trafikut në një nga akset rrugore me më shumë ngarkesë.
Policia Rrugore në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar ka marrë të gjitha masat për vendosjen e sinjalistikës provizore për të orientuar përdoruesit e rrugës dhe për të menaxhuar trafikun.
Policia kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve për devijimin e lëvizjeve dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë apo për të raportuar shkeljen e këtij devijimi, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm.
Shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, po analizojnë dhe studiojnë mundësinë e devijimit në rrugë alternative përgjatë sezonit turistik, të mjeteve të rënda që ndikojnë në ngadalësimin e lëvizjes së automjeteve duke shkaktuar radhë dhe vonesa.