Vdekjet nga Covid-19 u ”grabitën” njerëzve në mbarë botën rreth 336,8 milionë vite jetë, sipas llogaritjeve të reja nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

 

OBSH i atribuon gjithsej 14,9 milionë vdekje nga koronavirusi vetëm në vitet 2020 dhe 2021.

 

Në bazë të llogaritjeve një jetë shkurtohej mesatarisht me 22 vjet.

 

Vlerësimet janë përfshirë në librin e statistikave vjetore të OBSH-së, që u publikua sot.

 

Sipas OBSH-së, pandemia Covid-19 pati një ndikim negativ edhe në luftën globale kundër sëmundjeve të tjera ngjitëse për shkak të ndërprerjes së vaksinimit dhe shërbimeve shëndetësore.

 

Sipas OBSH-së si rezultat i Covid-19, vaksinimet kundër fruthit, tetanozit dhe sëmundjeve të tjera kanë rënë, ndërsa malaria dhe tuberkulozi janë rritur.