Kryeministri Edi Rama kërkoi sot nga kryetari i sapozgjedhur i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci që të krijojë një klimë ku të gjithë të ndjehen të përfaqësuar. Rama theksoi se në zgjedhjet e 14 majit shkodranët kanë votuar me mend dhe jo me zemër, dhe ndaj duhet shumë punë për të justifikuar besimin e tyre.

 

Kryeministri Rama zhvilloi sot një takim me kryetarin e sapozgjedhur dhe grupin e këshilltarëve socialistë të bashkisë Shkodër.

 

Kryeministri veçoi rëndësinë që duhet t’i kushtohet cilësisë së shërbimeve që jepen në bashki.

 

“Jo thjesht shërbimeve të bashkisë, por edhe shërbimeve të tjera, se kemi probleme me këtë pjesë, edhe pse është hequr një pjesë e madhe e tyre nga shërbimet online. Prapë aty ku ka kontakte, sportele, komunikime është problem. Ndërkohë duhet t’i japim një tjetër profil komplet gjithë kësaj pune dhe Beneti ka përgjegjësinë kryesore”, tha Rama.

 

“Do kesh shumë presione nga të katër anët ndërhyrje, histori në emër të revolucionit që përmbysi regjimin këtu etj., por nuk duhet të biesh në presione. Duhet të mbash në ekuilibër, nuk duhet të shohësh njerëzit në të majtë e të djathtë, me parti e stërparti, por vetëm duke bashkuar bashkë njerëz të ditur, njerëz të zotë, me ndjenjën qytetare të shërbimit dhe ku të gjithë të ndjehen të përfaqësuar”, shtoi Rama.

 

Rama kërkoi që mos të krijohet ideja se këtu iku një çetë dhe erdhi një çetë. “Në asnjë mënyrë, se pastaj ajo është kot dhe nuk jep asnjë produktivitet”, theksoi Rama.

 

Po ashtu, Rama kërkoi që të bëhet një bashki e gjithë qytetarëve të Shkodrës, ndërsa shtoi se përsëritja e fitores është më e vështirë.

 

“Do kesh presion të madh. Duhet të mbash presionin, të bësh një bashki të gjithë qytetarëve të Shkodrës nëse do që të respektojnë dhe të mbështesin siç të mbështetën. Sepse një herë mund të fitosh, të përsërisësh fitoren është e vështirë. Një herë bashkohen yjet në një mënyrë të caktuar dhe ndodh, por të përsërisësh fitoren është e vështirë”, iu drejtua Rama, Benet Becit.

 

Rama u shpreh se këtë herë shkodranët kanë votuar me mend, jo me zemër.

 

“Kanë votuar me zemër të thyer dhe me mend që ‘hajde ta provojmë’. Tani puna është t’i fitosh zemrën. Zemrën s’ta japin këta, se e kanë si puna jote, djathtas. Duhet t’ia vesh zemrën në qendër, duhet realisht të bëhet një punë shumë e madhe”, shtoi Rama.