Dymbëdhjetë të vdekur dhe 500 të plagosur. Ky është bilanci, të paktën tani për tani, në kaosin që u krijua në stadiumin Cuscatlán të El Salvadorit për të ndjekur ndeshjen e kampionatit mes Alianzës dhe FAS.

 

Policia Civile Kombëtare (PNC) tha: “Paraprakisht kemi një numër të vdekjeve prej 12, nëntë prej të cilëve janë këtu në stadium dhe tre të tjerë, të cilët na janë komunikuar, janë në spitale të ndryshme”.

 

Një tragjedi me histori, duke qenë se nuk është hera e parë që këto aksidente ndodhin në vendin e Amerikës Qendrore. Drejtori i PNC, Mauricio Arriaza, tha: “Futbolli Salvadorian është në zi”.

 

Ndeshja ishte pezulluar ndërsa shërbimet e urgjencës evakuuan njerëzit nga stadiumi në një operacion ku përfshiheshin qindra policë dhe ushtarakë, por situata doli jashtë kontrollit.

 

Atmosfera e hutimit brenda dhe jashtë stadiumit diktohej nga sirenat e ambulancës të cilat ishin e vetmja zhurmë që dëgjohej më e fortë se të tjerat.

Në mes të urgjencës, ministri i Shëndetësisë, Francisco Alabí, siguroi se në rrjetin spitalor “po ofrojnë ndihmë mjekësore për të gjithë pacientët”.

 

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka nxituar t’i shprehë ngushëllimet e tij “familjes dhe miqve” të të ndjerëve.

 

“Ne, së bashku me FIFA-n dhe komunitetin botëror të futbollit, qëndrojmë në solidaritet me të gjithë të prekurit, si dhe me popullin e Republikës së El Salvadorit, Concacaf, Federatën Salvadorane të Futbollit dhe Divizionin e Parë të Futbollit të El Salvadorit në këto kohë të vështira”, shtoi numri një në futbollin botëror në deklaratën e tij.

 

“Nuk mund ta besoj, ne erdhëm për të parë një ndeshje dhe përfunduam duke parë njerëz të vdekur”. Kjo ishte deklarata e një tifozi të Alianza-s kur pa se si burra, gra dhe fëmijë barteshin me barela ose në krahë nëpër fushën e Cuscatlán për t’u trajtuar nga mjekët.

 

Sipas informacioneve paraprake, shumë tifozë të Alianza-s u përpoqën të hynin në stadiumin Cuscatlán pa biletë pasi blenë bileta të rreme dhe shpërthyen një hyrje duke shkaktuar kaos total.