E ndërsa vijon puna për kapjen e autorit të vrasjes së 47-vjeçarit Arjan Gosa në Kavajë, prokuroria e Durrësit po vijon hetimet në lidhje me ngjarjen.

 

 

Shumë i tronditur për atë që përjetoi i ati i viktimës, Osman Gosa 78 vjeç ka dëshmuar mbi atë që ndodhi të dielën në mbrëmje.

 

Sipas dëshmisë së tij, ai ka qenë në një lokal së bashku me djalin e madh Arjanin i cili ishte kthyer në vendlindje që në mars pas vrasjes së të vëllait. Të dy janë ulur në pjesën e jashtme të lokalit dhe kanë qenë me kurriz nga rruga, ndaj nuk e kanë parë autorin kur ka hyrë në lokal.

 

 

“Ishim duke parë ndeshjen. Dëgjova vetëm një krismë dhe e pashë djalin që ra në tokë dhe një njeri që iku me vrap”.

 

Kaq ka mundur të dëshmojë, 78-vjeçari Osman Gosa i cili në një hark të shkurtër kohor, brenda më pak se dy muaj humbi dy djemtë e tij, përkatësisht Edmondin 43 vjeç dhe Arjanin 47, i cili në korrik do të mbushte 48 vjeç.

 

 

 

I tronditur nga gjithçka përjetoi në moshë të thyer, Osman Gosa nuk e kishte menduar se do të humbiste dhe djalin tjetër si pasojë e krimit në të cilin u përfshi i biri dhe që i mori jetën. Meqë të dy palët e përfshira në konfliktin, që përfundoi në vrasje më 29 mars, mbetën të vrarë dhe Arjan Gosa nuk ruhej.

 

Familja Gosa nuk e kishte menduar hakmarrjen ndonëse të afërm të tyre shprehen se në ditët e para pas krimit kjo ishte diskutuar meqenëse familja e Altin Rexhës është nga Kukësi ku vepron fuqia e kanunit, por fakti që dhe Rexha vrau Edmondin u konsiderua si mbyllje e konfliktit.

 

Sipas policisë, Arjan Gosa u qëllua me një plumb në kokë nga vëllai i Altin Rexhës, 31-vjeçari Habib Rexha, që ka shkuar i pamaskuar në lokalin ku viktima po pinte kafe me të atin ndërsa shihnin një ndeshje futbolli.