Një 44-vjeçar shqiptar, i dënuar me 10 vjet burgim për vrasje me dashje, mbetur në tentativë, është ekstraduar nga Greqia.

 

Policia bën me dije se si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe homologëve, në Greqi u bë e mundur kapja dhe ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Mihal Mërkuri, 44 vjeç.

 

Më datë 17 nëntor të vitit 2000, në lagjen nr. 1, në Sarandë, për shkak të një borxhi të pashlyer, shtetasi Mihal Mërkuri ka qëlluar pesë herë me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit Vendim Bejko, duke e plagosur rëndë atë.

 

Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, Gjermani, u bë kapja dhe ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar, Silvester Driza, 30 vjeç, lindur në Durrës.

 

Driza ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë, “Arrest në burg”,  për veprën penale, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

 

30-vjeçari ka themeluar një shoqëri Sh.p.k dhe ka kryer disa transaksione fiktive me kompaninë që ka me koncesion inceneratorin e Fierit.

 

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët për lokalizmin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.