Mediat greke kanë zbuluar detaje të reja në lidhje me arrestimin në Janinë të shumëkërkuarit shqiptar Laert Haxhiu.
Protothema zbulon se Haxhiu u arrestua nga policia greke pas një ndjekjeje të rrezikshme.
Gjithçka nisi kur efektivët e policisë i kanë bërë shenjë drejtuesit të mjeti BMË X5 të ndalojë në zonën e Eleuzës, në Janinë.
Drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrit të policisë, por përkundrazi shtoi shpejtësinë për t’u larguar. Në atë moment efektivët u mobilizuan dhe u vunë në ndjekje të mjetit BMË X5, pa e ditur se kush ishte në drejtimin e mjetit.
Gjatë ndjekjes, mjeti ka shkaktuar një aksident duke përplasur tre automjete dhe duke ngecur në trafik.
Përplasja me bordurën bëri që të shpërthente një gomë e mjetit duke shkaktuar hapjen e airbagëve.
Më pas policia ka gjetur rastin dhe ka arrestuar drejtuesin dhe dy pasagjerët e tjerë të mjetit .
Nga hetimet rezultoi se një nga tre të arrestuarit ishte Laert Haxhiu, i cili kërkohet nga policia shqiptare si pjesëtar i një grupi kriminal dhe akuzohet për vrasje dhe tentativë vrasje. Madje, ndaj tij ishte shpallur “njoftimi i kuq” i kërkuar nga Interpoli, shkruajnë mediat greke.
Haxhiu po gjykohet në mungesë për masakrën e Lushnjës, per te cilën janë dënuar më herët me burgim të perjetshëm Oges Bilbili dhe Anterio Kaloshi.
Orgest Bilbili , Laert Haxhiu e Anterio Kaloshi akuzohen nga SPAK për vrasjen e Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit si dhe tentativën e vrasjes së Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2017. Veç akuzës së vrasjes në rrethana cilësuese të një ose më shumë personave, akuzohen edhe edhe për “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën, me qëllim kryerjen e procedurave për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt vendit tonë.
Kujtojmë se Haxhiu u shpall rreth një vit më parë së bashku me Talo Çelën, Jani Aliajn, Ibrahim Licin dhe Erjon Llapushi, në listën e 5 njerëzve më të kërkuar nga policia shqiptare.