Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest shtëpie” në “arrest në burg” për 24-vjeçarin Indrit Uka, i cili përplasi për vdekje studenten 22-vjeçare Erisa Aliaj, teksa tentoi të kalonte rrugën në zonën e ish-Kënetës në qytetin e Durrësit më 21 qershor 2023. Report Tv mëson se Uka ka kërkuar të caktohet e njëjta masë arresti shtëpiak, por ishte prokuroria e cila kërkoi vijimin e hetimeve për Ukën nga qelia e paraburgimit, kërkesë kjo e pranuar nga Gjykata e Apelit.
Akt-ekspertimi përfundimtar ka nxjerr fajtor drejtuesin e mjetit Indrit Uka, sipas të cilit, në bazë të matjeve të kryera në terren, ka vepruar në kundërshtim me Kodin Rrugor, duke lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara. Ndërkohë, prindërit e 22-vjeçares Erisa Aliaj, Zarife dhe Bislim Aliaj, iu drejtuan Gjykatës së Apelit me një deklaratë, përmes së cilës shprehin keqardhjen për vendimin e Gjykatës së Durrësit për caktimin e masës “arrest shtëpie” për shoferin që i mori jetën vajzës së tyre.
“Të prekur dhe të lënduar në shpirt nga humbja e parakohshme e vajzës sonë, si nga ngjarja ashtu edhe nga vendimi i padrejtë e i pabazuar në prova i Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Durrës dhe nga sjellja e papranueshme duke deformuar të vertetën nga ana e familjes së autorit, e gjejmë me vend këtë ndërhyrje nga ana jonë për të njohur gjykatën dhe prokurorine me të vertetën e marrëdhënies sonë me familjen e autorit”, thonë prindërit e 22-vjeçares.
Më tej, në deklaratë, të cilën Report Tv e disponon, prindërit e 22-vjeçares deklarojnë se nuk e kanë falur autorin e aksidentit. Ata theksojnë se familjarë të tij kanë qenë në familje dhe janë pritur sipas zakonit, por në asnjë moment nuk është diskutuar për një falje të mundshme, ashtu siç sipas tyre është parashtruar në vendimin e Gjykatës së Durrësit.
“Të nderuar, pasi ndodhi ngjarja, familjarë të shtetasit Indrit Uka janë paraqitur në banesën tonë dhe me gjithë tronditjen tonë të madhe, kemi zbatuar të drejtën zakonore, duke i pritur, por në asnjë moment nuk është diskutuar për ngjarjen dhe për më tepër për të diskutuar për falje. Nga pretendimet e paraqitura në seancën e caktimit të masës së sigurimit, konkludojmë së Gjykata e Shkallës së Pare Rrethit Gjyqësor Durrës ka arritur në një konkluzion të pasaktë në lidhje me qëndrimin tonë si familje”, vijojnë prindërit e Erisa Aliajt.
22-vjecarja Erisa Aliaj ishte studente me rezultate të larta në fakultet. E reja punonte edhe në fasoneri për të ndihmuar familjen. Ajo ndërroi jetë në spital më 21 qershor, një ditë pasi u përplas nga makina mbrëmjen e 20 qershorit. Ajo ishte origjinë nga Tropoja por me banim në zonën e ish-kënetës në Durrës dhe u përcoll në banesën e fundit mes qindra mesazheve ngushëlluese në rrjetet sociale, përfshirë edhe ai i Universitetit të Durrësit.