Gjatë katër viteve të fundit, kam udhëtuar në 17 vende për librin tim ”Mirupafshim Evropa Lindore”. Në të, unë përpiqem të përshkruaj një Evropë Lindore të zhdukur, ku pasuria shumëplanëshe kulturor dhe toleranca fetare ishin rregull dhe jo përjashtim. Shqipëria ishte një nga vendet e pakta ku ajo trashëgimi nuk ishte një kujtim, por një realitet i gjallë. Duke e parë vetë atë kjo gjë më mbushi me shpresë, jo vetëm për Ballkanin, por për Evropën në tërësi, shkruan Jacob Mikanowski për “The Guardian”.

 

”Ndjeva një lloj frike përpara vizitës sime të parë atje, në vitin 2019. Ju mund ta konsideroni këtë frikë me atë që studiuesja bullgare Maria Todorova e quan “ballkanizma të folezuar”, thënë ndryshe prirja e çdo vendi të Evropës Lindore për ta konsideruar veten si mesataren e artë dhe për të parë fqinjët e tij (sidomos ata në jug dhe në lindje) me dyshim. Unë jam polak dhe kam udhëtuar nëpër rajon prej një kohe aq të gjatë, sa të kem përjetuar çdo lloj shqetësimi. Por, unë jam gjithashtu mjaft i moshuar për të kujtuar imazhet e transmetuara nga Shqipëria pas rënies së komunizmit dhe rebelimit civil që përfshiu vendin në 1997. Edhe pse ka kaluar shumë kohë që atëherë, nuk isha i sigurt se çfarë do të gjeja.

Pika ime e hyrjes ishte një nga pikat kufitare më të bukura që kam përjetuar ndonjëherë, një shtrirje e egër bregdetare përgjatë liqenit të Ohrit, ku Shqipëria takohet me Maqedoninë e Veriut. Një udhëtim i shpejtë me taksi nga kufiri në qytetin e afërt të Pogradecit ishte i mjaftueshëm për të larguar çdo ankth të vazhdueshëm. Pasi mora veten me një kapuçino buzë liqenit, hipa në një autobus për në Korçë, kryeqyteti kulturor i malësive të thella lindore të Shqipërisë. Me të mbërritur në mesditë, qyteti dukej i shkretë. Me afrimin e natës, pazari ishte i mbushur me njerëz që darkonin jashtë në restorante me kuzhinë italiane dhe qebaptore shqiptare. Mora një pjatë me mish qengji dhe sallatë greke (këtu i thonë “sallatë fshati” – nacionalizmi nuk vdes lehtë) dhe dëgjova një koncert falas të këngëtares pop franceze, Clio.

 

Kisha ardhur në Korçë për të parë rrënojat e Voskopojës. I njohur gjithashtu si Moschopolis ose qyteti i barinjve, dikur kishte qenë kryeqyteti jozyrtar i vllehëve, një popull shpesh (por jo ekskluzivisht) nomad, që fliste një gjuhë të ngjashme me rumanishten. Në malet në perëndim të Korçës ata ndërtuan Oksfordin e tyre në miniaturë, të kompletuar me një akademi, shtypshkronja dhe kisha të zbukuruara. Qyteti lulëzoi për një shekull përpara se të pushtohej nga Ali Pasha, një prijës vendas, i njohur edhe si “Bonaparti mysliman”, në fund të shekullit XVIII, pas së cilës ajo u fundos në errësirë pothuajse.

 

Sot Voskopoja është një fshat i këndshëm, në një luginë të vogël të rrethuar nga male të mbuluara me bredha. Shtypi dhe akademia janë zhdukur, por ju ende mund të shihni kryevepra nga David Selenicasi dhe piktorë të tjerë shqiptarë ikonash, në kishat e shumta të saj. Megjithatë, ndonjëherë të nevojitet edhe ndonjë telefonatë. Kisha e Shën Nikollës ishte e mbyllur kur mbërrita. Në pjesën e përparme të saj, takova dy çifte nga Gjermania dhe Franca – të vetmit turistë në qytet atë ditë. Ne telefonuam numrin që pamë në derë; pak minuta më vonë, një prift i sjellshëm vlleh, me rroba të zeza, na futi në një dhomë xhevahiresh me afreske shumëngjyrësh.

 

Më vonë atë ditë, u nisa vetë në një shteg të vjetër karvanesh që lidhte Voskopojën me qendrat e mëdha tregtare të Ballkanit. Eca për një orë nëpër pyjet e pishave pa parë askënd, derisa arrita te një kishë e vogël pelegrinazhi prej guri, kushtuar shenjtorëve Kostandin dhe Helenë. Pamja e luginës shtrihej për kilometra të tëra, deri në masivin e Tomorit apo Fuxhi i Shqipërisë së mesme dhe një vend pelegrinazhi për të krishterët dhe myslimanët.

 

I kënaqur nga udhëtimi im i parë në Shqipëri, vendosa të kthehesha. Jeta dhe pandemia bënë të tyren, por në vitin 2022 u ktheva me bashkëshorten për një turne dyjavor. Filluam me Tiranën. Kryeqyteti i Shqipërisë ka shumë për të rekomanduar, arkitekturë eklektike, gjallëri kafenesh dhe restorante të mbushura plot. Është gjithashtu vendi më i mirë për t’u njohur me periudhën më të errët të historisë së vendit, me mbretërimin 40-vjeçar të Enver Hoxhës, diktatorit stalinist që sundoi Shqipërinë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vdekjen e tij në 1985.

 

Pranë sheshit ”Skënderbej”, një vilë tërheqëse që dikur ka qenë selia e policisë sekrete është kthyer në një muze të quajtur ”Shtëpia e Gjetheve”. Ekspozitat e tij, të cilat përfshijnë pajisje përgjimi, pamje të kontrolluara të mbikëqyrjes dhe intervista me të mbijetuarit e burgimit, zbulojnë aftësinë e jashtëzakonshme që regjimi komunist ishte i gatshëm të bënte për të mbajtur nën kontroll popullsinë e tij. Në një aspekt më estetik, Galeria Kombëtare e Arteve (aktualisht e mbyllur për riparime, por e planifikuar të rihapet në fillim të vitit 2024) ka një nga koleksionet më të mëdha të artit të realizmit socialist të Evropës Lindore.

 

Për mua, pikturat me gra ushtare me mitralozë, saldatorë heroikë dhe brigada ndërtimi  ngjallin një epokë të kaluar po aq gjallërisht – dhe drithëruese – si çdo kishëz e ilustruar nga Rilindja.

 

Muzetë e Tiranës shquhen për thellësinë dhe krijimtarinë e angazhimit të tyre me një të kaluar të vështirë. Megjithatë, për të marrë një ndjenjë të vërtetë për Shqipërinë, duhet të lini pas kryeqytetin.

 

Destinacioni ynë i parë ishte veriu, zona e pakicës katolike të vendit dhe malet e tij të larta. Tradicionalisht vendi i gjakmarrjes dhe malësorëve, kjo është ”Shqipëria e Epërme” e përshkruar nga Edith Durham në fillim të shekullit XX. Ne e filluam vizitën tonë në qytetin e Shkodrës me një udhëtim në Muzeun Kombëtar të Fotografisë ”Marubi”, që paraqet punën e dinastisë më të madhe fotografike të Shqipërisë, të filluar nga revolucionari italian Pietro Marubbi dhe vazhdoi përmes nxënësve të tij shqiptarë. Ajo ofron një dritare në Shqipërinë e mesit të shekullit XIX, pashallarët osmanë, kryekomandantët katolikë, vajzat e haremit dhe madje edhe një luftëtare për lirinë.

 

Më pas shkuam në luginën e Thethit, në Alpet Shqiptare, në kufi me Malin e Zi. Në të kaluarën, Thethi ishte i shkëputur nga pjesa tjetër e botës nga bora për gjashtë muaj të vitit, duke i dhënë pseudonimin Shangri La i Shqipërisë. Deri vonë mund të arrihej vetëm nga një rrugë me zhavorr, por e shtruar së fundmi.

 

I gdhendur nga akullnajat, Thethi ka disa nga peizazhet më spektakolare të Shqipërisë. Vitet e fundit, ai është bërë një destinacion për udhëtarët që shkojnë në Valbonë, një luginë akullnajore fqinje (dhe pothuajse po aq piktoreske), që mund të arrihet vetëm nga Thethi, më këmbë.

 

Pas disa ditësh të hareshme ecjeje, të ndërthurura me ushqime të shijshme si fasule, domate dhe bukë të pjekur në oxhak në shtëpizat malore, ne ishim gati të shkonim në jug.

 

Përsëri në Tiranë, morëm një makinë me qira dhe shkuam në Berat, një mrekulli e shtëpive të gurta të epokës osmane, të vendosura njëra mbi tjetrën në një kodër, maja e së cilës është e pushtuar nga mbetjet e një fortese bizantine. Berati ka edhe Xhaminë Mbret, ku mblidheshin burra e gra për të dëgjuar muzikë të shenjtë dhe për t’u shoqëruar (edhe pse veçmas, në dhoma të ndara me ndarje druri të zbukuruara).

 

Ky ndërthurje bizantine dhe osmane është karakteristikë e jugut, i cili ndihet më mesdhetar sesa veriu malor. Ka disa nga plazhet më të mira të vendit dhe është përballë Korfuzit dhe Greqisë. Prania e minoritetit grek (e pakësuar shumë që nga rënia e komunizmit, por ende e pranishme) mund të ndihet në të gjithë Rivierën Shqiptare, veçanërisht në fshatra si Qeparoi, të vendosura mes ullishteve, në fund të një gjiri të gjatë.

 

Por, jugu nuk është vetëm një përzierje e ndikimeve të huaja. Ai gjithashtu ka një kulturë të fortë lokale. Vendi më i mirë për ta përjetuar mund të jetë qyteti i Gjirokastrës. Vendlindja e Enver Hoxhës dhe Ismail Kadaresë, shkrimtarit më të madh të Shqipërisë dhe kandidatit të përhershëm (dhe, për mendimin tim, i vonuar prej kohësh) për çmimin Nobel në Letërsi. Ashtu si Berati, Gjirokastra është një thesar i arkitekturës tradicionale – ka shtëpi guri pesëkatëshe me çati rrasa të ndërtuara, më shumë se 100 vjet më parë, nga pronarë tokash vendas, secila prej të cilave duket si një kështjellë.

 

Por, Gjirokastra ka edhe kënaqësi moderne. Njërën prej tyre e gjeta rastësisht. Duke eksploruar zonën përreth Xhamisë së Çarshisë, në qendër të qytetit të vjetër, hasa në një hapësirë nëntokësore të mbushur me dyqane të vogla, librari dhe kafene. Një grua e re, pronare e tezgave, më ftoi të eksploroja një kalim tjetër, të fshehur, që dilte nga arkada kryesore. Hyrja ishte falas, por shqetësuese: një tub i gjatë betoni i errët, që pikonte nga lagështia, që shtrihej thellë në shpatin e kodrës.

 

Doli se ky ishte një nga bunkerët e shumtë të Enver Hoxhës, i ndërtuar në rast sulmi bërthamor – vetëm ky ishte ribërë në një instalacion të mrekullueshëm të artit të tingullit, me një lloj muzike që nuk e kisha dëgjuar kurrë – apo dëgjuar – të quajtur saze. Është një formë e lashtë, vendase në kullotat e larta shkëmbore të Shqipërisë së Jugut. Këngët e saj – shumë prej të cilave janë vajtime për të larguarit – përbëhen nga melodi të ndjera, të kënduara në mënyrë polifonike nën shoqërimin e një violine, klarinete dhe lahute. Më kujtoi këngën bizantine të përzier me bluz, dhe më përloti menjëherë. Kur dola jashtë, u ndjeva edhe një herë mirënjohës që pata mundësinë të vizitoja këtë vend me histori intriguese, me mikpritje të pakufishme dhe me surpriza të pafundme. / ATA