Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë këtë të premte në konferencën e përjavshme me gazeyarët ku ka folur sërish për zgjedhjet e 14 majit.

 

Berisha gjatë fjalës së tij prezanton mesazhin e një qytetari nga Kamza ku denoncon sipas tij masakrën elektorale në Kamëz.

 

Në rastin e prezantuar qytetari thotë se vrasësi famëkeq i grave, Dan Hutra, ishte punësuar në ujësjellësin e Kamzës në këmbim të mbledhjes së votave për Rakip Sulin.

 

Ndër të tjera Berisha thekson se në Këshillin Bashkiak të Kamzës, ka pasur propozim për t’i vendosur emrin e Dan Hutrës një rruge në Kamëz.

 

“Këto ishin specifika të papara përveçse dy-tre në raste të caktuara, në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Unë, në vazhdën e denoncimit të farsës të tmerrshme elektorale të 14 Majit, do ju sjell një rast këtu.

 

Do ju sjell mesazhin e një qytetari nga Kamza: Zoti Berisha, do ju vë në dijeni të një fakti kriminal të masakrës elektorale në Kamëz. Vrasësi famëkeq i grave, Dan Hutra, ishte punësuar në ujësjellësin e Kamzës në këmbim të mbledhjes së votave për Rrakip Sulin.

 

Vrasësi i grave, natën vidhte banesa, kurse ditën vidhte vota dhe kërcënonte me jetë demokratët që të mos dilnin në votime.

 

Pas masakrës ndaj grave, Rakip Suli ka zhdukur dosjen e Dan Hutrës. Ka dëshmi dhe fakte se Dan Hutra drejtonte një nga bandat kryesore të mbledhjes së votave për Rakip Sulin.

 

Në Këshillin Bashkiak të Kamzës, ka pasur propozim për t’i vendosur emrin e Dan Hutrës një rruge në Kamëz.

 

Propozimi është zhdukur me shpejtësi nga banda e Bashkisë së Kamzës. Rakip Suli i kishte dhuruar Dan Hutrës në pallatet që po ndërton Arben Maloku, që ka bërë një masakër me votat e Zall Herrit.

 

Dan Hutra figuronte patronazhist i PS-së, kreu i një grupi kokaine në Holandë. Kishte nisur të pastronte paratë në ndërtim. Sot kontrollon trafikun e drogës dhe votave nga burgu. I vetëm i burgosur që shpenzon deri në 5 milionë lekë në muaj.

 

Praktikisht Dan Hutra është drejtori i burgut të Rilindjes.

 

Ju informoj se në takime të tjera, do ketë fakte të tjera, thellësisht tronditëse, që dëshmojnë manipulim në shkallë të paimagjinueshme të procesit zgjedhor”, tha Berisha.