Rrjeti social “Twitter” është tërhequr nga një marrëveshje vullnetare e Bashkimit Evropian për t’i dhënë fund dezinformatave në internet, sipas Komisionit Evropian.

 

Komisioneri i Tregut të Brendshëm të BE-së, Thierry Breton, tha se Twitter po largohej nga Kodi vullnetar i BE-së për Dezinformimin.

 

“Por, detyrimet mbeten. Mund të vraponi, por nuk mund të fshiheni”, tha Breton në Twitter.

 

Kodi përfshin detyrime për të gjurmuar reklamat politike, për të ndaluar fitimin e parave të dezinformatave dhe për të punuar me kontrollues faktesh.

 

Breton tha se lufta kundër dezinformimit do të ishte një detyrim ligjor sipas të ashtuquajturit Akti i Shërbimeve Digjitale të BE-së nga 25 gushti.

 

Ligji i ri do të thotë që kompanitë do të duhet të moderojnë platformat e tyre për përmbajtje të dëmshme si dezinformimi dhe të prezantojnë protokolle për të bllokuar përhapjen e materialeve të rrezikshme.

 

Kompanitë duhet gjithashtu të rrisin transparencën në lidhje me ndërveprimet me përdoruesit dhe të thjeshtojnë marrëveshjet e përdoruesve.

 

“Ekipet tona do të përgatiten për zbatim”, shkroi Breton.

 

Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser i quajti veprimet e Twitter-it të papërgjegjshme.

 

“Dezinformimi, gënjeshtra dhe propaganda nxisin urrejtjen dhe janë helm për demokracinë”, shkroi ajo në Twitter.