Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova duhet të pezullojë operacionet e policisë rreth ndërtesave komunale në veri të shtetit, si “hap i parë për uljen e tensioneve, ndërsa protestuesit e dhunshëm të ndalen”.
“Dua të them se BE-ja e dënon fuqishëm dhunën në veri të Kosovës që kemi parë ditëve të fundit. Aktet e dhunës ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe KFOR-it janë të papranueshme. Ne si BE qëndrojmë prapa NATO-s dhe KFOR-it në përmbushjen e mandatit në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë”, tha Borrell më 30 maj.
Ai tha se mëngjesin e sotëm ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, teksa mbrëmjen e së hënës ka zhvilluar një bisedë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksadër Vuçiç, dhe i ka ftuar që të “qetësojnë menjëherë situatën dhe pa kushte”.
“Çdo hap tjetër i njëanshëm duhet të shmanget. Si hap i parë, pres nga Kosova të pezullojë operacionet policore të lidhura me ndërtesat e komunave në veri të Kosovës, dhe protestuesit e dhunshëm të ndalen. Ne do të vazhdojmë të jemi të angazhuar me dy liderët” që të ndalen protestat, tha Borrell.