Ka shkuar në 90 numri i personave të arrestuar në qarkun e Tiranës nga operacioni antidrogë që u zhvillua në të gjithë vendin, i koduar “Tempulli”.

 

Sipas asaj që raporton Klan News, të arrestuarit në 5 qarqe janë pjesë e 7 grupeve që merreshin me shpërndarjen e kokainës, heroinës dhe kanabisit në kryeqytet.

 

Mësohet se mes të arrestuarve janë edhe 5 femra. Ato ishin me masë më të butë sigurie të caktuar në mungesë. Për 3 është vendosur masa e sigurisë arrest në shtëpi dhe 2 të tjera detyrim paraqitje. Një prej tyre ishte me fëmijë të mitur dhe shtatzënë, e ndërsa një tjetër në moshën 68 vjeçe.

 

Nga vëzhgimet që oficerë të antidrogës kanë bërë në terren ka rezultuar se pjesa më e madhe e tyre e shpërndanin drogën me taksi dhe motor për të mos u kapur nga policia. Ndërsa në zonën e Kombinatit, ku u prangosën 22 persona, blerësit shkonin vetë për të marrë dozat e lëndës narkotike.

 

Për shkak të numrit të lartë personave të arrestuar, është caktuar që 30 prej të prangosurve të dalin këtë të premte në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë.