Lirohet nga qelia ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Mësohet se pjesën tjetër të mbetur të dënimit do e kryej në shtëpi. Vendimi u mor sot nga gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit Matilda Fetahu.

 

Më 4 shkurt 2023, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, dënoi Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

 

Saimir Tahiri e nisi “betejën” e tij me drejtësinë në vitin 2017, kur kishte 4 vite ministër i Brendshëm, si ministri më jetëgjatë në atë dikaster. Organet e drejtësisë e vunë në shënjestër pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.

 

Prokuroria e akuzoi Tahirin për ‘trafik të narkotikëve’ dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.

 

Në shtator 2019, Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi akuzën e prokurorisë për përfshirjen e Tahirit në trafik droge, por e dënoi atë me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.  Tahiri e apeloi vendimin në Gjykatën e Apelit, e cila vendosi rikthimin e çështjes për rigjykim sërish në shkallë të parë për rishqyrtim.

 

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dënoi me 5 vite burg ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, dënim i cili i konvertua në 3 vite shërbim prove. Gjithashtu për 5 vite nuk do të ushtronte asnjë funksion publik. Ranë kështu akuzat e rënda. Më pas ish-ministri bëri rekurs dhe dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë e cila pranoi për ta gjykuar. Dosja u regjistrua në Gjykatën e Posaçme të Apelit për të ardhur te vendimi për dënimin me burg.