Gjykata e Apelit në Tiranë la në fuqi dënimin me 16 vjet burgim për Elsi Levendin, i shpallur fajtor për vrasjen e Jurgen Kurtit, i njohur edhe si menaxheri i VIP-ave në vitin 2019.

 

Levendit në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale i ulet dënimi me 1/3 dhe përfundimisht përkthehet në 10 vite e muaj burgim.

 

Çështja u dërgua në Apel nga Prokuroria e Tiranës e cila kërkonte dënimin e tij me 25 vjet burg, si dhe vetë i pandehuri i cili kërkonte pushim të çështjes, duke pretenduar pafajësi. Por asnjëra nga kërkesat nuk u pranua.

 

Elsi Levendin u akuza për veprën penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim.

 

Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 18 mars të vitit 2019 rreth orës 22:15 në rrugën “Zef Jubani”, në Tiranë.

 

VENDIMI I GJYKATËS

 

Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 18.03.2019, ku në rrugën “Zef Jubani” Tiranë, rreth orës 22:15, është vrarë me armë zjarri shtetasi me iniciale J.K, i akuzuar për këtë ngjarje është shtetasi me iniciale E.L.

 

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 523, datë 01.03.2021 ka vendosur:

 

Deklarimin fajtor të të pandehurit E.L, për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim në dëm të shtetasit J.K, parashikuar nga neni 78/1 dhe 25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 16 (gjasjtëmbëdhjetë) vjet burgim.

 

Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht i pandehuri E.L do të vuaj 10 (dhjetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

 

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve:

 

Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, që kërkoi ndryshimin e masës së dënimit me 25 vjet burgim.

 

Nga i pandehuri me iniciale E.L, i cili kërkoi prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes penale në ngarkim të tij, pasi çështja penale për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim nuk duhej të fillonte.

 

Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 02.06.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Elona Toro dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Lutfije Celami, vendosi:

 

Lënien në fuqi të vendimit nr.523 datë 01.03.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.