Të paktën një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë rezultojnë të zhdukur pas shirave të dendur që goditën pjesët perëndimore dhe qendrore të Japonisë që prej të premtes mbrëma, sipas mediave lokale.

 

Një person u gjet i vdekur në makinën e tij në një fushë të përmbytur e cila ishte pothuajse plotësisht e zhytur në ujë, tha agjencia e lajmeve Kyodo News, duke cituar policinë.

 

Të paktën dy milionë njerëz u këshilluan të evakuohen përkohësisht në prefekturat Gifu, Shizuoka, Aichi dhe Mie.

 

Agjencia e motit e vendit ka lëshuar një paralajmërim për vërshime në lumenj dhe rrëshqitje dheu në pjesët lindore të vendit, duke përfshirë kryeqytetin Tokio.

 

Shirat e dendur janë intensifikuar nga tajfuni Mawar, i cili po kalon në jug të vendit, dhe një front shiu pranë ishullit kryesor të Japonisë, Honshu.

 

Tajfuni pritet të zvogëlohet në një ciklon ekstratropik më vonë gjatë ditës pasi të lëvizë në lindje jashtë Honshus.

 

“Në Japoninë lindore, më 3 qershor, ju lutemi jini në vëzhgim për fatkeqësitë e rrëshqitjes së dheut, rritjes së nivelit të lumenjve dhe përmbytjeve dhe kujdes nga përmbytjet në zonat e ulëta”, tha Agjencia Meteorologjike e Japonisë në Twitter.

 

Agjencia paralajmëroi gjithashtu për rrëshqitje të dheut në Japoninë perëndimore, si dhe rrufe dhe tornado në Japoninë lindore.

/AA