Ushtria izraelite i vendosi zjarrin dhe e bëri të papërdorshme ndërtesën e udhëtarëve në pikën kufitare Rafah që ndodhet mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit dhe e cila është pika e vetme e Gazës që hapet për botën e jashtme me përjashtim të Izraelit.
Sipas informacioneve të marra nga burimet lokale, mësohet se krahas ndërtesës së udhëtarëve, përfshirë sallën e pritjes në anën e Gazës të pikës kufitare Rafah që mori nën kontroll më 7 maj, ushtria izraelite i ka vënë zjarrin edhe një sërë objekteve pranë saj.
Në pamjet e ndara nga shumë përdorues të medias sociale palestineze, shihet se ndërtesa në fjalë është djegur plotësisht.
Sipas të dhënave të marra nga dëshmitarët, shumë automjete ushtarake izraelite të vendosura në Korridorin e Filadelfit në kufirin Egjipt-Palestinë, po përparojnë drejt qendrës së qytetit Rafah i cili ndodhet nën zjarr intensiv në ditën e dytë të Kurban Bajramit.
Avionët luftarakë të ushtrisë izraelite kryen sulme intensive në rajon para përparimit të ushtarëve izraelitë drejt qendrës së qytetit Rafah.
Thuhet se si pasojë e sulmit ka të vrarë dhe të plagosur.
Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza në një deklaratë sot njoftoi se në sulmet e kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës që nga 7 tetori janë vrarë 37.347 palestinezë, mes të cilëve të paktën 15.517 fëmijë dhe 10.279 gra ndërsa janë plagosur 85.372 persona./aa