Qeveria shqiptare ka objektiv që ta çojë në 30% territorin e zonave të mbrojtura në Shqipëri.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e zhvilluar në kuadër të shpalljes së lumit të egër Vjosa si “Park Kombëtar”.
“Shqipëria ka sot 21% të territorit zonë të mbrojtur. E kemi gjetur me shumë më pak kur ne morëm detyrën. Çdo vit kemi rritur sipërfaqen e zonave të mbrojtura. Objektivi ynë është ta çojmë në 30% territorin e vendit tonë që është zonë e mbrojtur është një objektiv shumë ambicioz”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se, “të krijosh zona të mbrojtura nuk do të thotë t’i presësh njerëzve që jetojnë në to, apo komuniteteve që kanë bekimin e atyre zonave, rrugët e zhvillimit të tyre ekonomik dhe social. Nuk do të thotë që të kthesh edhe njerëzit në gjendje të egër, por përkundrazi do të thotë t’u japësh një perspektivë të re zhvillimi, për të cilën nuk mjafton të kesh Vjosën, por duhet të dish edhe si”.
Këtu, vijoi Rama, bëhet e domosdoshme gjetja e partnerëve dhe aleatëve të ditur.
“Vlera e madhe e shtuar që “Patagonia” dhe Rayan Geller, menaxher i përgjithshëm i “Patagonia”, që është këtu, e të tjerët, është pikërisht dija dhe eksperienca e madhe dhe të jetuarit në kërkim të vazhdueshëm të rrugëve me eficencë më të lartë, për të sjellë më shumë ekonomi për njerëzit që jetojnë pranë zonave të mbrojtura”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se, “jemi krenarë për shume gjëra në funksion të mjedisit dhe të jetëve të specieve të panumërta që ka Shqipëria”.
“Shqipëria është i vetmi vend në botë me moratorium për gjuetinë prej shumë vitesh. Vendosëm të ndalojmë gjuetinë dhe tani kemi ripërtëritje shumë frymëzuese të faunës sonë dhe të gjithë territorit”, tha Rama.
Kryeministri Rama e vuri theksin gjithashtu tek domosdoshmëria e një qendre për kërkim shkencor dhe kultivim dijesh për menaxhimin e sfidave mjedisore, për të cilat nevojitet bashkëpunim ndërkufitar, edukim i brezave dhe alokimi i duhur i fondeve dhe kredive të buta për zhvillim.
“Shqipëria është nën moratorium të pyjeve. Këto nuk mjaftojnë dhe na duhet një tjetër reformë për menaxhimin e pyjeve dhe për t’i kthyer pyjet në mirësi dhe mirëqenie për të gjithë brezat, jo në zonat ku vetëm disa të babëzitur që gllabërojnë sot për sot përfitojnë, ndërkohë që të tjerët dëmtohen përjetë” .
Rama theksoi edhe “domosdoshmërinë që ka ky “Park Kombëtar” për të pasur një qendër ekselence, që të jetë qendër e kërkimit shkencor dhe projekteve të zhvillimit, e koordinimit të të gjithë burimeve të dijes, për mënyrën sesi duhet menaxhuar në shekullin e 21-të në këtë kohë sfidash kaq të mëdha mjedisore një “Park Kombëtar” i këtyre përmasave. Janë mbi 12 mijë ha që përshkon gjithë trupin e vendit”, tha Rama.