Popullsia e vendit prej tre dekadash është në trend rënës, por popullsia në moshë pune (15-64 vjeç) është duke u tkurrur me ritme më të shpejta.

 

Sipas të dhënave të INSTAT, më 1 janar të vitit 2023, popullsia e përgjithshme e vendit pësoi rënie me 1.1% në raport me vitin 2022, ndërsa popullsia në moshë pune pësoi rënie me 1.8%.

 

Popullsia në moshë punë u reduktua me rreth 101 mijë persona në krahasim me vitin 2019, para pandemisë. Aktualisht popullsia në moshë pune është 1,864,062 persona nga 1,974,207 në vitin 2019, ose 101 mijë më pak.

 

Rënien më të fortë shihet ta ketë grupmosha 20-24 vjeç, me më shumë se 17% që nga viti 2019. Rënia në këtë grupmoshë reflekton emigracionin e lartë të të rinjve jashtë vendit. Më tej, rënie të madhe ka pësuar popullsia në moshën 15-19 vjeç, kur në vitin 2023 numërohen 35 mijë persona më pak se, në vitin 2001.

 

Popullsia në moshë pune ka pësuar rënie për të gjitha grupmoshat deri në 59 vjeç, përveç 35-39 vjeç ku kishte rritje me 7.1% në krahasim me 1 janar 2022. Më tej shihet se vetëm forca e punës në prag pensioni (60-64 vjeç) ka pësuar rritje me 8.7%.

 

Projeksionet e popullsisë tregojnë se popullsia në moshë pune do të bjerë me ritme më të shpejta se sa popullsia e përgjithshme në pothuajse të gjitha qarqet.

 

Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031, sipas skenarit normal me shpërndarje gjeografike dhe emigrim konstant brenda vendit).

 

Rënia më e fortë në forcën e mundshme të punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%).

 

Ekspertët e demografisë pohojnë se Shqipëria ndodhet në mes të dritares së mundësisë ekonomike që shtrihet përafërsisht në fillim të viteve 2020.

 

Mosha mesatare e forcës së punës është mbi 40 vjeç dhe nëse do të aplikoheshin politikat e duhura, ekonomia e vendit do të ishte në kulmin e produktivitetit prej kësaj mundësie. Forca e punës në Shqipëri është në moshën ku përvoja dhe mosha janë kombinim ideal për të prodhuar maksimumin e përfitimeve.

 

Rënia e popullsie në moshë pune ka efekt pozitiv në rënien e papunësisë (në mënyrë mekanike për shkak të emigrimit) përveç të tjerash qëndron dhe në faktin se reduktohen shpenzimet buxhetore për të paguar kategorinë e të papunëve.

 

Megjithatë, në të njëjtën kohë që reduktohet buxheti për mbulimin e pagesës sociale për të papunët, si pasojë e uljes së numrit të papunësisë nga emigracioni, reduktohen dhe të ardhurat nga taksimi në buxhet, i ardhur për të njëjtën arsye, nga emigracioni.

 

Në një situatë të tillë, shumë shpejt vendi do të humbë konkurrueshmërinë në rajon edhe për investimet e huaja. Aktualisht është krahu i lirë i punës që ka sjellë në Shqipëri kompanitë e huaja. Por gjatë dekadës së ardhshme, edhe kjo mundësi duket se do të shterojë./Monitor