Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku informoi sot mbi ecurinë e punimeve në Korridorin Blu.

 

Bashkë me kryeministrin Edi Rama, Balluku inspektoi sot aksin Thumanë-Kashar ku janë realizuar 40% e punimeve.

 

“Korridori Blu ka disa segmente. Për segmentin Muriqan-Milot tashmë me vendimmarrjen e dy qeverive për urën lidhëse mes Malit të Zi dhe Shqipërisë ne e kemi çuar fokusin te lidhja me urën”, tha ajo.

 

Balluku informoi se janë bërë të gjitha procedurat për të hapur aksin Milot-Balldren, një nga 3 kontratat e PPP-ve që nuk kishte sukses në lidhjet e saj për shkak pandemisë.

 

Ministrja theksoi se “puna përgatitore është bërë për këtë projekt dhe do jetë shumë e lehtë hapja e garës dhe vazhdimësia më pas.

 

Ndërkohë ajo bëri të ditur se aksi Milot-Thumanë është në momentet e fundit të negociatave. “Duke pasur një kontratë për Thumanë-Kasharin dhe negociata është më e lehtë pasi e kemi bazën kontraktuale, ndaj besoj se brenda këtij muaji firmoset aksi Milot-Thumanë duke i dhënë mundësi që kantieri të hapet menjëherë”, shtoi ajo.

 

Aksi më i komplikuar i këtij korridori, sipas ministres është aksi Kashar-Lekaj, që është  100% gjurmë e re. “Ky aks ka një gjeologji problematike pasi zona e Tiranës është zonë ujëmbajtëse me shtresa jo solide. Do të ndërtohet e gjithë autostrada nga e para dhe ka tunele e ura. Jemi në fazën e negociimit në Kashar-Lekaj ku kemi edhe një lidhje me bajpasin e Tiranës”, tha ajo.

 

Ndërkohë, Balluku informoi se për pjesën Lekaj-Fier kontrata është totalisht e negociuar dhe e mbyllur dhe mund të nisim menjëherë punën.

 

“Ka një kompleksitet tjetër pasi ka shumë zhvillim ekonomik në të dyja krahët e rrugës, por ka vend për shpronësim pa prekur edhe bizneset e ndodhura në rrugë”, tha ajo.

 

Balluku informoi se të gjitha akset e tjera janë funksionale dhe është formatuar disi në faza të ndryshme i gjithë Korridori Blu.