Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka reaguar lidhur me sulmin me një të vrarë ndaj Policisë së Kosovës.

 

Në një deklaratë për mediat, Begaj thotë se ky akt i organizuar kriminal është cënim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

 

Ai i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë.

 

“Dënoj me forcë sulmin ndaj policisë së Kosovës në komunën e Leposaviqit, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën dy të tjerë.

 

Ky akt i organizuar kriminal është cënim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

 

I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

 

Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen e policit të vrarë dhe uroj shërim të shpejtë për policët e plagosur.

 

Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët. Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës”-thotë Begaj.