Një sërë kërkesash për bashkinë Kuçovë do të shqyrtohen sot nga KAS (Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve) në mbledhjen e parashikuar për t’u zhvilluar në orën 13:30.  Kërkesa e depozituar nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ dhe kandidati Lefter Maliqi përfshin rinumërim të votave dhe pavlefshmërinë e vendimit për shtyrjen e numërimit të votës, nga ora 11:00 deri në 12:30.

 

Bashkia e Kuçovës kthehet në tavolinën e anëtarëve të KAS që janë të detyruar ta shqyrtojnë edhe një herë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Shqyrtimi për kërkesën ankimore që kundërshton rezultatin e zgjedhjeve për kryebashkiak të Kuçovës, ku mori fitoren Kreshnik Hajdari do t’i japë fund përballjes ligjore disa-javore në KQZ pas zgjedhjeve lokale te 14 majit.

Kërkesat që shqyrtohen sot:

 

-Shqyrtimi i kërkesës ankimore me nr. 67, me ankues subjekti zgjedhor Koalicioni “Bashkë Fitojmë” me objekt “Kundërshtimin e vendimit nr. 101, datë 16.05.2023 të KZAZ nr. 64, Bashkia Kuçovë, qarku Berat “Për miratimin e tabelës përmbledhese të rezultateve për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Kuçovë”.

 

Shqyrtimi i Kërkesës Ankimore nr. 74, datë 22.05.2023, depozituar nga z. Lefter Maliqi, me objekt:

- “Kërkojmë, ndryshimi i vendimit Nr. I01 datë 16.06.2023 të ZAZ Nr. 64 Bashkia Kuçovë, Qarku Berat, Për Miratimin e Tabelës Përmblëdhese të Rezultateve për Zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Kuçovë”

 

– Kërkojmë, rinumërim dhe rivlerësim të votave për ZAZ-në Nr. 64, të gjitha QV-të duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërimi dhe rivlerësimi i votave për QV-të e listuara në tabelë. – Kërkojmë pavlefshmërinë e Vendimit NR. 101 datë 16.05.2023, “Për Miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për Zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Kuçovë”

 

– Kërkojmë konstatimin e pavlefshmërisë së vendimit të KQZ ku është emëruar sekretari i ZAZ, Nr. 64 Kuçovë, shtetasi Romeo Arizi.

 

– Kërkojmë, pavlefshmërinë e vendimit të KZAZ, Nr. 64 Kuçovë, Qarku Berat, për shtyrjen e numërimit të votës, nga ora 11:00 deri në 12:30.

 

– Kërkojmë, pavlefshmërinë e pjesshme të fletës së votimit Kandidatët për Kryetar Bashkie për Bashkinë Kuçovë, në pikën ku është shënuar kanidati për Bashkinë Kuçovë Qarku Berat, Kreshnik Hajdari.

 

– Pavlefshmërinë e veprimit juridik, formularin e dekriminalizimit, në emër të Kreshnik Hajdarit dorëzuar pranë KQZ referuar ligjit, nr. 138/2015 ‘Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojne funksione publike”.

 

Ndërkohë Lefter Maliqi ka njoftuar se sot do të bëjë tjetër kallëzim në SPAK për shkeljet që pretendon se janë kryer në zgjedhjet e 14 majit.