Propozimi egjiptian nuk përfshin qëllimin e Izraelit për të shtypur Hamasin. Po ashtu, duket se është në kundërshtim me këmbënguljen e Izraelit që të mbajë kontroll ushtarak mbi Gazën për një periudhë të gjatë kohore pasi të përfundojë lufta.
Por, Netanyahu po përballet me presion brenda vendit që të arrijë një marrëveshje për lirimin e më shumë se 100 robërve izraelitë, të cilët ende mbahen peng në Gazë. Përderisa ai gjatë një fjalimi në Parlament u zotua se do të vazhdojë luftën, familjarët e njerëzve që po mbahen rob e penguan atë dhe kërkuan kthimin e të gjitha pengjeve. “Tani, tani”, brohoritën ata.
Rritja e numrit të ushtarëve të vrarë izraelitë gjatë operacionit tokësor, po ashtu, kërcënon që të minojë mbështetjen e publikut për luftën. Ushtria izraelite njoftoi për vdekjen edhe të dy ushtarëve të hënën, duke bërë që numri i përgjithshëm i ushtarëve të vrarë gjatë luftës të arrijë në 156.
Kabineti i luftës i Netanyahut ka mbajtur një takim mbrëmjen e së hënës, por ende është e paqartë nëse gjatë mbledhjes është diskutuar për propozimin egjiptian.
Hamasi ende zyrtarisht nuk ka reaguar për propozimin. Por, është e paqartë nëse Hamasi do të pajtohej të hiqte dorë nga pushteti, pasi për 16 vjet kontrollon Gazën.
Izzat Rishq, zyrtar i lartë i Hamasit i cili besohet se gjendet në Katar, lëshoi një deklaratë duke përsëritur qëndrimin e grupit radikal se nuk do të negociojnë “pa përfundimin e plotë të agresionit”. Ai tha se Hamasi nuk do të pajtohej “për një armëpushim të përkohshëm apo të pjesshëm që do të zgjaste për një periudhë të shkurtër kohore”.
Lajmi për propozimin e Egjiptit u bë i ditur teksa sulmet e ashpra ajrore të Izraelit goditën pjesën qendrore dhe jugore të Gazës.
Në kampin e refugjatëve Magazi të hënën punëtorët e shpëtimit nxorën trupa nga rrënojat, pas sulmeve të një nate më parë. Sipas të dhënave që i ka parë AP-ja, në spitalin Al-Aksa që gjendet pranë kampit, të paktën 106 persona janë vrarë – duke bërë që ky sulm të jetë një prej sulmeve më vdekjeprurëse ajrore gjatë fushatës së Izraelit.
Organizatë Botërore e Shëndetësisë vizitoi të hënën spitalin, tha kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Spitali po pranon më shumë pacientë sesa që ka kapacitet dhe staf. Shumë nga ta nuk do t’i mbijetojnë pritjes”, tha ai nëpërmjet një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.
Lufta ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës, duke vrarë më shumë se 20.600 palestinezë dhe duke detyruar që të zhvendoset pothuajse e gjithë popullsia e territorit prej 2.3 milionë banorësh.
Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara, po ashtu, kanë paralajmëruar se çereku i popullsisë është duke u përballur me uri në territorin e rrethuar nga Izraeli, i cili lejon që në Gazë të futet vetëm një sasi e vogël e furnizimeve.
Në jug të Rripit të Gazës, Hamasi ka pranuar se e ka qëlluar për vdekje një djalë 13 vjeç, i cili ishte pjesë e një grupi njerëzish që tentuan të merrnin ndihma nga një kamion. Vrasja e tij ka nxitur protesta të dhunshme dhe kritika të rralla publike kundër Hamasit.
Propozimi egjiptian
Propozimi egjiptian është ambicioz, që synon jo vetëm t’i japë fund luftës, por po ashtu paraqet një plan për ditën pasuese.
Propozimi bën thirrje për një armëpushim fillestar prej dy javësh, gjatë së cilit, luftëtarët e Hamasit do të lironin 40 deri në 50 pengje, në mesin e të cilëve gra, të sëmurë dhe të moshuar, në këmbim të lirimit të 120-150 palestinezëve nga burgjet izraelite, tha zyrtari egjiptian.
Në të njëjtën kohë, negociatat do të vazhdonin për zgjatjen e armëpushimit dhe lirimit të më shumë pengjeve dhe trupave të pajetë që mbahen nga Hamasi, tha ai.
Zyrtarët izraelitë vlerësojnë se 20 nga pengjet kanë vdekur ose janë vrarë gjatë robërimit.
Egjipti dhe Katari, sipas propozimit, po ashtu do të punonin me të gjitha fraksionet palestineze, përfshirë Hamasin dhe rivalin e tij, Autoritetin Palestinez – të njohur ndërkombëtarisht – për t’u pajtuar për krijimin e një qeverie të ekspertëve, tha zyrtari egjiptian.
Kjo qeveri do të qeveriste me Gazën dhe Bregun Perëndimor për një periudhë transitore derisa fraksionet palestineze do të punonin drejt mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, shtoi ai.
Në të njëjtën kohë, Izraeli dhe Hamasi do të negocionin për një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare, tha ai. Një marrëveshje e tillë, sipas propozimit, do të përfshinte lirimin e pengjeve të mbetura në këmbim të lirimit të të gjithë burgosurve palestinezë në Izrael, por edhe tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Gaza dhe që Hamasi t’i ndalë sulmet me raketa ndaj Izraelit.
Mbi 8.000 palestinezë po mbahen nga Izraeli të dënuar nën akuza që lidhen me sigurinë, sipas të dhënave palestineze. Disa prej tyre janë dënuar për sulmet vdekjeprurëse ndaj izraelitëve. Përderisa lirimi i tyre mund të jetë kundërthënës, Izraeli ka një histori të pajtimit për lirimin e palestinezëve.
Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Sameh Shoukry, të hënën zhvilloi një bisedë telefonike me kryediplomatin e Iranit, Hossein Amirabdollahian, me të cilin foli për luftën në Gazë, njoftoi Ministria e Jashtme egjiptiane. Në njoftim u tha se Shoukry ka diskutuar për përpjekjet për të arritur një armëpushim gjithëpërfshirës, por nuk u dhanë detaje të tjera. Irani është mbështetës i madh i Hamasit.
Në Uashington, Shtëpia e Bardhë refuzoi që të komentonte për propozimin egjiptian.
Zyrtarët amerikanë mbeten në kontakt të ngushtë me Egjiptin dhe Katarin për lirimin e më shumë pengjeve dhe për këtë kanë qarkulluar disa propozime, tha një person që është në dijeni të bisedimeve. Përderisa propozimi i Egjiptit është shikuar si sinjal pozitiv, SHBA-ja është skeptike se do të prodhojë zgjidhje, tha personi që kishte dijeni me bisedimet, i cili foli në kushte anonimiteti.
Brenda Gazës
Ofensiva e Izraelit është një ndër fushatat ushtarake më shkatërruese në historinë moderne. Mbi dy e treta e 20.674 palestinezëve të vrarë janë gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, institucion që nuk bën dallimin në mesin e civilëve dhe luftëtarëve të vrarë.
Ofensiva ka shkaktuar një krizë humanitare në Gazë, territor që po përballet me mungesë të furnizimeve ushqimore, mjekësore dhe furnizimeve të tjera bazike.
Me dërgimin e kufizuar të ndihmave, turma të njerëzve kanë tentuar të marrin mallra nga kamionët që transportojnë ndihma. Një luftëtar i Hamasit është parë duke hipur mbi disa makina. Ky grup ka thënë se po i mbron dërgesat, ndërkaq Izraeli e ka akuzuar grupin se po i vjedh ndihmat.
Në jug të Rripit të Gazës, Hamasi e pranoi se një polic i Ministrisë së Brendshme të udhëhequr nga grupi, qëlloi për vdekje një 13-vjeçar, duke thënë se ka pasur të shtëna me armë pasi një grup personash tentuan të merrnin ndihmat nga një kamion në Rafah të shtunën, tha një zyrtar i zyrës për media të qeverisë së Hamasit.
Të shtënat nxitën protesta të dhunshme dhe kritika të rralla publike ndaj Hamasit, grupit radikal që ka shfaqur pak tolerancë ndaj disidencës gjatë sundimit të tij në Gazë.
Familjarët e zemëruar të Ahmed Brikeh, djalit që u vra nga Hamasi, tentuan të sulmonin një stacion policor, duke djegur goma dhe duke kërkuar që polici që vrau 13-vjeçarin, të mbahet përgjegjës për këtë akt.
Një familjar i 13-vjeçarit, Mosaad Brikeh, fajësoi Hamasin për vrasjet përmes një videoje që ka qarkulluar në mediat sociale, përmes së cilës ai akuzoi policin që kreu vrasjen se e ka vrarë atë me plumb në kokë.
Ai tha se familja paraprakisht kishte bashkëpunuar me Hamasin për të siguruar zonën kufitare me Egjiptin. Ai kërkoi që polici të mbahet përgjegjës, duke paralajmëruar se familja do të ndalojë “çdo veturë” që të kalojë përmes zonës.
Shkatërrimi që ka sjellë lufta në javët e fundit ka nxitur edhe shpërthime sporadike të zemërimit ndaj Hamasit, diçka që në të kaluarën ka qenë e paimagjinueshme.
Izraeli përballet me kritika ndërkombëtare për numrin e lartë të të vrarëve në mesin e civilëve. Izraeli për këtë fajëson Hamasin, duke thënë se grupi radikal përdor zonat e banuara dhe tunelet. Izraeli po ashtu ka deklaruar se ka vrarë mijëra luftëtarë të Hamasit, ndonëse për këtë pretendim nuk ka ofruar dëshmi.
Të hënën në mbrëmje, ushtria izraelite tha se ka zbuluar një makinë të vjedhur të familjes së pengut izraelit, Samer Al-Talalka. Vetura tha se u gjet në një spital në veri të Gazës. Al-Talalka ishte në mesin e tri pengjeve që gabimisht u vranë nga ushtarët izraelitë në Gazë më herët gjatë këtij muaji. Ushtria tha se copëza të një granate dhe gjurmë gjaku të një pengu tjetër u gjetën në veturë. “Gjetja e veturës e lidh direkt spitalin me ngjarjet brutale të 7 tetorit”, tha ushtria izraelite.
Krishtlindja në kohë lufte
Dhjetëra anëtarë të komunitetit të vogël krishterë në Gazë kanë mbajtur Meshën e Krishtlindjes në Kishën e Familjes së Shenjtë në Qytetin e Gazës, që po ashtu përdoret edhe si strehimore. Javën e kaluar, zyrtarët katolikë thanë se dy gra të krishtera u vranë pasi Izraeli sulmoi me snajperë Kishën.
“Kjo nuk është kremte”, tha Kamal Ayad, gruaja dhe vajza e të cilit u vranë gjatë të shtënave. “Kjo është kremte e dhimbjes së popullit palestinez”.
Ai tha se shpreson që të ketë “paqe dhe shpresë për një armëpushim”. Mesha u mbajt të dielën mbrëma, por detajet për mbajtjen e saj u bënë publike vetëm të hënën, për shkak se Gaza përballet me ndërprerje të shpeshta të shërbimeve të internetit. Betlehemi u mbyll për të krishterët dhe festimet për Krishtlindje u anuluan.