Në shënim të 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës, krerët e shtetit vendosen kurora lulesh te pllaka përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s.

 

Pas homazheve, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ditën e sotme e ka quajtur si më të rëndësishmen për vendin tonë.

 

E para e vendit, Osmani është shprehur përherë mirënjohëse për gjithë vizionarët e shtetit, aktivistët, ushtarët e UÇK-së dhe për aleatët që ndihmuan në çlirimin dhe pavarësinë e vendit.

 

“Sot shënojmë përvjetorin e një prej ditëve më të rëndësishme në historinë e kombit tonë, në historinë e Republikës së Kosovës, ditën kur shteti ynë u çlirua pas një lufte e cila rezultoi me gjenocid ndaj një populli të pafajshëm të Republikës së Kosovës. Tani po nderojmë ushtarët e NATO-s, ata që nga 10 qershori e tutje hynë në Republikën e Kosovës për t’ia dhënë vulën e çlirimit të vendit tonë. Jemi mirënjohës përherë dhe përsërisim këtë mirënjohje në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës, për vizionarët e shtetit, për presidentin Rugova, gjithë aktivistët që dhanë gjithçka që të vendosin këto themele. Po ashtu për komandantin legjendar, Adem Jashari dhe gjithë ushtarët e UÇK-së që dhanë jetën e tyre për lirinë tonë, por edhe mirënjohje përjetshme për gjithë miqtë tanë të cilët na ndihmuan që lirinë, pavarësinë dhe demokracinë ta kemi realitet të cilin sot e gëzojnë gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Osmani.

 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjfuca derisa uroi gjithë popullin për këtë ditë, theksoi kontributin ë gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë që gëzon populli sot.

 

“Çlirimi i Kosovës është shembulli më i spikatur i bashkëveprimit të suksesshëm mes faktorit vendor edhe bashkësisë ndërkombëtare. Për ne ishte dita e ardhjes së lirisë një datë shume e çmuar për popullin e Kosovës, por ishte po ashtu edhe sukses i madh në planin ndërkombëtar. Sepse, dita e çlirimit të Kosovës koincidoi pikërisht edhe me ndalje e gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Kjo natyrisht nuk do të mund të arrihej edhe pa miqtë tanë të çmuar ndërkombëtarë, pa shtetet të cilat e ndihmuan çlirimin e Kosovës. Por kjo ndodhi edhe pikërisht për arsye se kauza jonë ishte shumë e drejtë. Ne gjithçka po kërkonim si popull dhe qytetarë ishte që ta heqim pushtimin, okupimin serb shekullor në Kosovë. Për këtë ditë dhamë edhe shumë, kemi dhënë dëshmorët tanë, martirët e Kosovës dhe kishte shumë sakrifica dhe mund të popullit tonë për çlirim, prandaj ata do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë, sepse janë në themelet e lirisë së shtetit tonë”, tha Konjufca.

 

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, theksoi se ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin e Kosovës, për të cilën tha se gjithë populli është gjithnjë falënderues dhe mirënjohës.

 

“Pas çlirimit vjen paqja, sot përkujtojmë dhe festojmë 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe vendosjen e paqes në vendin tonë, pra 12 qershorin. Bashkë me presidenten e Republikës dhe kryetarin e Kuvendit kujtuam duke vendosur lule të freskëta dhe bërë homazhe humanizmin e Rugovës, qëndresën e Demaçit, sakrificën e Jasharajve dhe këtu kontributin e NATO-s. Përulemi para gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë atyre të cilët dhanë jetën për lirinë e popullit dhe çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë gjithnjë dhe përgjithmonë jemi falënderues dhe mirënjohës”, tha Kurti.

 

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca gjatë ditës kanë bërë homazhe edhe pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova, ish-veprimtarit, Adem Demaçi dhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

 

Ndërsa, 24 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

 

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze./KosovaPress/